Greqia "në luftë" dëmet mbi 50 milionë euro
ATHINË- “Asgjë e re nga fronti”, teksa Greqia ka hyrë në ditën e pestë të protestave masive dhe kaosit. Përsëri, gjatë ditës së djeshme, kanë vazhduar përleshjet midis protestuesve dhe forcave policore greke. Përleshjet me bomba molotov, me gurë, me çdo lloj objekti tjetër, ka qenë edhe gjatë ditës së djeshme pamja e qyteteve kryesore të Greqisë. Megjithatë, gjatë ditës së djeshme është parë një zbehje e protestave dhe përleshjeve, gjë e cila mund të paralajmërojë edhe përfundimin e protestave dhe shkatërrimeve në shtetin grek.
Bilanci
Gjatë ditës së djeshme është bërë bilanci total i dëmtimeve për katër ditët e para. Bizneset që janë prekur nga shkatërrimi i protestuesve llogariten në një numër 435. Ndërsa dëmi financiar që kanë shkaktuar tek këto biznese është 50 milionë euro. Një shumë kjo që ka për t’i kushtuar rëndë, si shtetit grek, ashtu edhe shumë bizneseve që ishin prekur nga kriza ekonomike. Regjistrimi i bizneseve që kishin pësuar dëmtime ka përfunduar gjatë drekës së ditës së djeshme, ku vlen të theksohet se, dëmtimet që kanë pësuar bizneset janë në rrugët kryesore të çdo qyteti, duke prishur pamjen festive gjatë këtyre ditëve të festave. Dëmtim total kanë pësuar rreth 37 biznese. Dëmi më i madh financiar llogaritet në 5.5 milionë euro për biznes, ndërsa dëmi më i vogël në 500 euro. Dëmtime kanë pësuar gjithashtu 16 banka, 2 supermarkete, 40 dyqane filialesh të mëdha në qendra tregtare, 374 biznese të nivelit të mesëm dhe 3 objekte teatrale dhe kinematografike. Gjithashtu, gjatë protestave janë vjedhur nga protestuesit dyqane me aksesorë celularësh, kompjuterësh, etj. Një dëm i tillë ka lënë të papunë rreth 2500 punonjës. Një fakt i tillë ka bërë që ministri i Ekonomisë, Jorgo Alogoskufi, të deklarojë se qeveria duhet të fillojë menjëherë alokuimin e fondeve për kompensimin e këtyre bizneseve.
Masat
Gjatë mbledhjes së djeshme të kabinetit qeveritar, janë marrë nga qeveria e Karamanlisit, masa konkrete për përballimin e kësaj situate të vështirë që ka përfshirë vendin. Karamanlisi ka deklaruar se do të financohen më 10 mijë euro bizneset e vogla dhe ato shumë të vogla. Dëmshpërblim në masën 50 për qind, për bizneset që kanë pësuar dëme të shumës nga 10 mijë euro deri në 200 mijë euro. Gjithashtu, qeveria greke do t’u japë mundësi bizneseve të dëmtuara, kredi me afat shlyerje deri më 15 vjet. Shteti ka lënë jashtë detyrimeve financiare bizneset për tre muaj. Pra, bëhet fjalë për pagimin e taksave, kredive, etj. Gjithashtu, për bizneset që nuk do të arrijnë të fillojnë punën e përditshme deri më 20 dhjetor, punëtorët do të dëmshpërblehen me rrogën e plotë, bashkangjitur me shpërblimet e fundvitit.
Greva që bllokoi rrugët e Greqisë
Si të mos mjaftonin përleshjet dhe dhuna e shpalosur në rrugët e Greqisë, gjatë ditës së djeshme është zhvilluar edhe një grevë njëditore nga punonjësit e sektorit publik. Këta të fundit kanë protestuar për politikat ekonomike të qeverisë, duke shpalosur parulla kundër paaftësisë së qeverisë për të përballuar krizën ekonomike. Transporti publik në vend është pezulluar, ndërsa në të njëjtën gjendje ishin edhe fluturimet brenda edhe jashtë aeroportit të Athinës. Numri i protestuesve ka qenë i konsiderueshëm dhe protesta është mbajtur në qetësi. Ndërsa më vonë kanë filluar përsëri protestat, ku të rinjtë para Parlamentit grek, kanë sulmuar godinën, por edhe policinë me gurë.
Dëshmia e dy policëve
Gjatë ditës së djeshme janë marrë në pyetje edhe dy punonjësit e policisë, që konsiderohen si vrasësit e 15-vjeçarit. Avokati i tyre, një emër shumë i njohur në rrethin avokator grek, Aleksis Kujas, ka bërë akuza të rënda ndaj klasës politike në vend, të cilat i kanë dhënë një distancë të pamerituar çështjes. Gjatë seancës gjyqësore të dy policëve, jashtë ambienteve të Gjykatës, janë mbledhur një numër i madh protestuesish, të cilët janë përleshur me policinë përreth Gjykatës. Gjatë seancës, avokati i dy të pandehurve e ka cilësuar si të rastësishëm këtë fenomen, duke iu referuar edhe autopsisë balistike, e cila ka konfirmuar në stadin e parë se 15-vjeçari është vrarë nga një plumb rikoshet, pra, jo nga një goditje e drejtpërdrejtë e punonjësit të policisë. Ndërsa punonjësi i policisë që akuzohet për vrasje është dënuar nga mediat greke, ngaqë nuk ka kërkuar ende falje për krimin makabër që ka shkaktuar. Ai ka mbështetur përsëri në gjykatë se goditjet e tij kanë qenë në ajër.
7 skandalet që kanë përfshirë Greqinë
1. Përleshjet gjatë pesë ditëve të fundit midis protestuesve dhe forcave policore për vrasjen nga ana e një polici të një 15-vjeçari, Aleksi Grigoropulo. Këto përleshje dhe shkatërrime në të gjithë vendin kanë shkaktuar një kaos total dhe dëme financiare që kapin shifrën 50 milionë euro.
2. Skandali Vatopedi, shtator 2008.
Ministri i Marinës Tregtare, Jorgos Vulgaraqis, ka dhënë dorëheqjen pas kritikave të shumta që ai hasi nga partia e vet për shitblerjet e pronave. Ai akuzohet për një marrëveshje për tokën, mes shtetit dhe manastirit të pasur të Vatopedit, ku bashkëshortja e tij ishte agjente shitjeje. Ai ishte përfshirë në marrëveshjen e tokës, për të cilën u deklarua se i ka kushtuar një dëm shtetit prej 100 milionë euro. Për këtë çështje është ngritur një komision hetimor nga Parlamenti dhe rezultatet e hetimit priten brenda këtij muaj.
3. Kontrata e anijeve, gusht 2008
Një pronar anijesh ka deklaruar se i kishte dhënë ryshfet një zyrtari në zyrën e ish-ministrit të Egjeut, si shpërblim për të bërë të mundur favorizimin e kësaj anijeje. Ministri Pavlidhis e mohoi një gjë të tillë të ketë ndodhur nga punonjësit e ministrisë së tij dhe ka marrë edhe mbështetjen e qeverisë për këtë fakt.
4. Siemens, maj 2008
Thuhet që kompania Gjermane, Siemens, u kishte dhënë ryshfet zyrtarëve për të përfituar marrëveshje për kontratën e sigurisë për Lojërat Olipmike të 2004-s. Gjykata në Greqi ka nisur hetimet në lidhje me këtë fakt. Ndërsa një Gjykatë gjermane ka dënuar ish-drejtuesin e Siemens-it, për rolin e tij në vendosjen e fondeve të sheshta të përdorura për të fituar kontrata. Siemens-i ka paguar 1.3 miliardë euro si pagesa të dyshimta.
5.Sekretari i Ministrisë së Kulturës përpiqet të vetëvritet.
Ish-sekretari i përgjithshëm në Ministrinë e Kulturës, Hristos Zahopulos, ka dhënë dorëheqjen dhe u hodh nga ballkoni i shtëpisë së tij që gjendej në katin e pestë, duke mos gjetur vdekjen, pasi u publikua një video që tregonte kur ai kryente marrëdhënie seksuale me asistenten e tij.
6. Punonjësit indianë, dhjetor 2007
Ministri i Punës, Vasilis Maginas, dha dorëheqjen, pasi shtypi grek deklaroi se ai kishte punësuar një familje indiane të pasiguruar në shtëpinë e tij në fshat. Skandali ndodhi në kohën e reformave të pensionit që u kundërshtuan fuqishëm nga sindikatat. Ai mohoi faktin, duke thënë se indianët ishin miqtë e tij.
7. Hipoteka, mars 2007
Rreth 280 milionë euro të publikuara në shkurt të 2007-s nga Ministria e Financave, si dhe të nënshkruara nga JP Morgan, kaluan përmes disa komisionerëve para se të përfundonin në fondin e pensioneve të shtetit me vlera të rritura. Ministri i Punës, Savas Cituridhis, u largua nga detyra, si dhe marrëveshja u kthye mbrapsht. Prokurorët kanë bërë të ditur me qindra akuza, nga shkelje deri në pastrim parash, por nuk kanë bërë të ditur emra. Hetimet vazhdojnë.