E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vret nënën, e varros në fshehtësi

 

SHKODER/ RIDVAN DIBRA

Vetëm 20 ditë ka mundur ta fshehë vrasjen e nënës së tij një 19 -vjeçar nga fshati Vallas në Shkodër. Policia arrestoi dje Ylber Tahirin, duke e akuzuar atë për vrasjen e Lumnije Tahirit. Ngjarja e ndodhur më 22 mars të këtij viti mësohet se është mbajtur e fshehtë nga familja, ndërsa viktima është varrosur nga një “vdekje natyrale”. Policia e Shkodrës e sinjalizuar për vdekjen e gruas ka nisur hetimet, duke dyshuar për një vrasje të mundshme. Në sajë edhe të metodave të specializuara të hetimit, ekspertët e policisë kriminale kanë mundur të dokumentojnë gjithë ndodhinë e t’ia adresojnë këtë krim djalit të viktimës. Mësohet se 19-vjeçari pas arrestimit e ka pranuar krimin. Por ai ka pohuar se ngjarja kishte qenë aksidentale. “E vrava nga pakujdesia. Isha duke pastruar armën kur ajo u shkreh në mënyrë të pavullnetshme. Unë nuk do ta vrisja kurrë nënën time”. Kështu mësohet se deponoi pas arrestimit Ylber Tahiri, ndërsa gjendja e tij psikologjike ishte tepër e rëndë. Sipas policisë, ngjarja e ndodhur në komunën Ana e Malit kishte ngjallur dyshime edhe tek banorët e fshatit. Tahiri nuk vuante nga ndonjë sëmundje. Vdekja në mënyrë kaq të papritur kishte ngjallur dyshime, aq më tepër që disa banorë që e kishin shtëpinë afër viktimës kishin dëgjuar një të shtënë. Kjo bëri që policia dhe prokuroria të nisnin hetimet. Dje në orët e drekës, blutë bënë ekzekutimin e urdhrit të Prokurorisë për ndalimin e 19-vjeçarit. Sipas policisë, viktima ishte varrosur nga familjarët në fshehtësi të plotë pa njoftuar në lidhje me shkaqet, duke e paraqitur si vdekje natyrale. Familjarët kanë kryer të gjitha ceremonitë mortore. Por mbi bazën e informacioneve të marra në rrugë operative Sektori Kundër Krimeve të rënda bëri të mundur zbulimin, dokumentimin dhe kapjen e autorit të kësaj vepre penale së bashku me armën e krimit automatik model 56. Ai u akuzua për vrasjes me dashje e mbajtje pa leje të armëve të zjarrit. Sipas policisë, i riu shpjegoi gjithë mekanizmin e ngjarjes, ndërsa ka këmbëngulur se vrasja kishte qenë aksidentale.

 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›