E Diel, 1 Nëntor 2026

Goditet me thikë jabanxhiu nga Kukësi

Kishte shkuar për të punuar për ca kohë në Ksamil, përfundon i plagosur me thikë në spital një i ri nga Kukësi. Florian Bodini, punëtori 32-vjeçar nga Kukësi, që punon në mënyrë sezonale në Ksamil, është plagosur në mënyrë të befasishme nga shoku i tij i punës, Hazret Ndreu. Mësohet se Florian Bodini është babai i 3 fëmijëve dhe periodikisht vjen të punojë në Ksamil për të përballuar jetesën dhe ushqyer familjen që ka në Kalisë të Kukësit. Ai thotë se nuk e kupton pse është sulmuar nga 27-vjeçari Ndreu, i cili e ka goditur në kohën që ai po thoshte "mirëmëngjes" shumë miqësisht, si zakonisht. "Ishim para një kafeneje, në sheshin kryesor të Ksamilit, kur ai më ka sulmuar duke më shkaktuar plagë me thikë në shpatull, në ije dhe në dorë". Bodini është duke marrë mjekim në kushte spitalore, ndërsa policia ka shpallur në kërkim agresorin, për veprën penale të goditjes me dashje me armë të ftohta.

Tho.Ni.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›