Arrestohet kamarieri, dyshohet se ekzekutoi biznesmenin elbasanas
Artan CENA
ELBASAN - Një kamarier është autori i vrasjes së biznesmenit elbasanas, Sajmir Binjaku. Burime zyrtare nga Policia e Elbasanit kanë bërë të ditur se, gjatë operacionit të koduar “Premtimi” është vënë në pranga Axhildo Kashari, 21 vjeç. Arrestimi i të riut është bërë gjatë paradites së djeshme, në një aksion ku kanë marrë pjesë rreth 100 efektivë policie, mes tyre dhe specialët e RENEA-s. Pas vrasjes së biznesmenit së ndodhur në 10 qershor në një qendër interneti, policia kishte nisur hetimet për zbardhjen e ngjarjes. Më shumë se një muaj me vonë, paraditen e djeshme është bërë i mundur arrestimi i njërit prej të dyshuarve, ndërsa mësohet se në kërkim është dhe një i ri tjetër, i cili ka qenë bashkëpunëtor në krim. “Menjëherë pas vrasjes, ka filluar puna për zbulimin e dokumentimin e kësaj ngjarjeje ku si pasojë e një pune intensive është bërë identifikimi, zbulimi, dokumentimin dhe kapja e autorit të dyshuar të ngjarjes, i cili është Axhildo Kashari, 21 vjeç, i punësuar si kamarier, lindur dhe banues në lagjen “Haxhias” në Elbasan”, tha dje gjatë një konference për shtyp, zëdhënësja e policisë lokale, Valbona Begu. Sipas burimeve zyrtare, ngjarja kishte ndodhur pas një zënke banale të ndodhur mes biznesmenit dhe kamarierit.
Operacioni
Në operacion për arrestimin e të dyshuarit u përfshinë rreth 100 forca të policisë të cilat kryenë kontrolle në banesat dhe në zonën përreth. Operacioni ka nisur në orët e para të mëngjesit. Policia ka bllokuar disa rrugë dhe një prej kryqëzimeve të lagjes, ky mendohej se ishte autori i krimit. Kontrollet e shumta të ushtruara në makina dhe banesa, kanë bërë që rreth orës 09:00 të vihet në pranga i riu. Por aksioni ka vazhduar sërish. Policia ishte në kërkim të bashkëpuntorit të autorit, pasi dëshmitarët e ngjarjes së ndodhur, kishin treguar se ishin dy personat kur u qëllua ndaj biznesmenit. Operacioni i madh ka vazhduar deri në mesditë, por personi i dytë nuk është vënë dot në pranga. 21-vjeçari Kashari është gjetur në një prej banesave të lagjes së rrethuar. Siç mësohet, ai nuk ka kundërshtuar gjatë arrestimit.
Vrasja
Sajmir Binjaku u ekzekzutua me armë mbrëmjen e 14 qershorit pranë kryqëzimit të Cërrikut në Elbasan, në afërsi të holetit “Aleksandria”, që kishte në pronësi. Ai u qëllua me një plumb në kokë duke gjetur vdekjen e menjëhershme. Sajmir Binjaku është vrarë teksa ishte në një pikë interneti rreth orës 22:40 në afërsi të Kryqëzimit të Cërrikut në lagjen Shënkoll të qytetit të Elbasanit. Burime të policisë bëjnë të ditur se 39-vjeçari është qëlluar me pistoletë në brendësi të pikës së internetit pa pasur mundësi shpëtimi. Sipas të dhënave të para personi që ka qëlluar, ka qenë me maskë, por gjithsesi policia deklaron se është drejt kapjes së autorit të krimit. Burime nga policia bënë të ditur se dyshohet që viktima të ketë pasur konflikte të mëparshme, çka ka çuar edhe në vrasjen e tij. Në momentin e krimit në pikën e internetit ku 39-vjeçari ishte duke luajtur kanë qenë pak persona dhe kjo ka ndihmuar vrasësin të realizojë krimin e paramenduar. Ai ka hyrë në të dhe ka shkuar drejt e në vendin ku ndodhej Binjaku, të cilin e ka qëlluar me një plumb të vetëm pas koke dhe është larguar.
Aksidenti tragjik, dy fëmijë në gjendje të rëndë
TIRANË - Edhe tre ditë pas aksidentit tragjik në Pukë që i mori jetën 14 pasagjereve, tre prej fëmijëve të plagosur ndodhen në gjendje kritike në Spitalin Ushtarak. Më rëndë prej tyre është vajza e familjes Mustafa, që ka humbur prindërit dhe një motër në aksident. Për sa i përket shkaqeve, ekspertët nuk kanë dalë ende me një konkluzion përfundimtar, por dyshimet më të mëdha janë për humbje kontrolli të shoferit. 9-vjeçari Erikson Peraj ka marrë dëmtime të rënda në mushkëri, ndërsa 12-vjeçarja Raisa Mustafa vazhdon të jetë në koma cerebrale për shkak të goditjeve të marra në kokë. Zv.drejtori i Spitalit Ushtarak, Sami Koçeku i cili bëri dje një paraqitje të gjendjes së tyre shëndetësore thotë se ka shpresa që dy fëmijët të kalojnë situatën e rëndë në të cilën ndodhen. “Përjashto vajzën e vogël që është në koma cerebrale dhe djalin Erikson Peraj që janë në gjendje më serioze, të gjithë të tjerët janë aktualisht jashtë rrezikut për jetën. Dëshira jonë është që ata të bëhen mirë, pavarësisht se janë rëndë dhe do të vazhdojnë të jenë rëndë, mundësitë i kanë që të kurohen” u shpreh Koçeku. Dy të plagosurit e tjerë, Miranda Mustafa, 15 vjeç dhe Desaro Dyzeli, 7 vjeç, i janë nënshtruar operacioneve kirurgjikale dhe gjendja e tyre shëndetësore paraqitet më e mirë. Nga tragjedia e së shtunës, kur autobusi i linjës Durrës- Pukë ra në humnerë, humbën jetën 14 persona dhe 12 të tjerë u plagosën.
Pranga policit në Komisariat, akuzohet për marrje rryshfeti
VLORË - Një punonjës i policisë së Vlorës është arrestuar rreth orës 15:20 të ditës së djeshme në mjediset e Komisariatit të Policisë. Sic ësht mësuar i arrestuari dyshohet se ka marrë rryshfet nga një person i kërkuar, duke i ofruar atij lehtësi dhe favore në procedurat e ndjekes dhe hetimit. Burime nga policia bëjnë të ditur se Kleanthi Laze, me detyrë, agjent në sektorin e krimeve, u ndalua në përfundim të hetimeve në ngarkim të një shtetasi të shpallur në kërkim, të cilit dyshohet se ai i ka kërkuar vlera financiare në këmbim të favoreve dhe lehtësive për të mos u ndjekur nga drejtësia. Personi i mësipërm është ndaluar në muajin dhjetor të vitit të kaluar dhe gjatë kësaj periudhe hetimesh ndaj tij, ai ka përmendur emrin e Lazes, të cilit, sipas tij, i ka dhënë vlera të konsiderueshme monetare për t’i shpëtuar përballjes me drejtësinë. Gjatë gjithë këtyre muajve, Laze ka qenë në ndjekje nga Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm dhe Prokuroria e Rrethit, ndërkohë që paraditen e djeshme, Gjykata e Shkallës së Parë në Vlorë, vendosi ndaj tij masën e sigurisë “arrest në burg”. Me të marë urdhërërin në dorë, është bërë menjëherë arrestimi i tij.
Vrasja në Tiranë, 5 mijë euro shpërblim për kapjen e autorit
TIRANË - Policia ka shpallur në kërkim Artur Lleshin, të akuzuarin nga prokuroria, si autor të vrasjes së ndodhur mbrëmjen e së dielës në një nga lokalet në fundin e rrugës "Don Bosko" në Tiranë. Blutë e Tiranës kanë vënë në dispozicion 5 mijë euro për çdo informator që do të çojë në arrestimin e 22-vjeçarit. "Ky informacion mund të jepet, në çdo rast duke ruajtur anonimatin duke komunikuar përmes numrave të telefonik 069 41 02 943 & 069 41 10 202 dhe 129," - thuhet në njoftimin për shtyp të Policisë së Tirans. Viktima Gramoz Marku u qëllua me tre plumba në kokë e gjoks. Sipas policisë, Marku kishte braktisur gruan me fëmijët në Lajthizë të Mirditës për të bashkëjetuar me motrën e autorit, i cili nuk ka qenë dakord. Mbrëmjen e së dielës dy viktima ishte në një tryezë të lokalit bashkë me vajzën që bashkëjetonte dhe vëllanë e saj, Artur Lleshi. Ai kishte ardhur këtë javë nga Greqia, dhe në debat e sipër 22-vjeçari ka qëlluar për vdekje me një pistoletë “TT”, Markun. Policia ka marrë në pyetje motrën e cila ka zbardhur dhe detajet e ngjarjes.
20 Korrik 2010