Kërkohet mbyllja e tregjeve informal, Higjiena nuk kap dot shitësit ambulantë
Tregjet e hapura në Tirane dhe në veçanti shitësit ambulantë, që tregtojnë produkte “delikate”, në kushtet e temperaturave të larta mbeten problem shqetësues për konsumatorët, por edhe për inspektorët e Drejtorisë së Higjienës. Fakti konfirmohet edhe nga Drejtori i Shëndetit Publik, Mhill Gecaj. Sipas tij, shitësit ambulantë, tregtarët që konsiderohen informalë, të cilët shesin produkte pa etiketa, pa adresë prodhimi dhe detaje të tjera të rëndësishme, nuk kanë leje higjieno-sanitare dhe veprimtaria e tyre është e paligjshme. Inspektorët e Drejtorisë së Higjienës e kanë të pamundur që të kontrollojnë 24 orë në 24 tregjet informale, të cilët mund të jenë në rrugët kryesore të qendrës së qytetit, por edhe në cepat e lagjeve periferike të Tiranës. Sipas sektorit të higjienës, një pjesë e fajit i mbetet Bashkisë së Tiranës. “Çdo subjekt, i cili do të kryejë një veprimtari tregtie, fillimisht i bëhet nga ana jonë ekspertiza higjieno-sanitare dhe më pas i jepen lejet përkatëse. Ndërkohë që tregjet që janë pa leje, është detyrë e bashkisë për të gjetur një zgjidhje”,- tha drejtor i Shëndetit Publik, Gecaj. Nga ana e këtij sektori, krahas kontrolleve të përhershëm, janë marrë dhe masa penalizuese. “Herë pas here nënshkruajmë procesverbale, janë vënë dhe gjobat përkatëse. Problemi nuk është te ne, por tek ata që i lejojnë këto tregje të funksionojnë në këtë lloj mënyre”,- sqaron kreu i Higjienës. Në këtë sezon, nga Drejtoria e Shëndetit Publik janë kryer edhe kontrolle pranë subjekteve që tregtojnë produkte si akullore, byreqe, bulmete, pije alkoolike, produkte të vajit. Një pjesë prej tyre rezultuan se i plotësonin standardet për t’i tregtuar produktet drejt konsumatorit, ndërkohë që disave prej tyre u është vendosur “dryni”, si pasojë e mosplotësimit të kushteve higjieno-sanitare.
Çmimi i kakaos, arrin nivelin rekord të 30 viteve të fundit
Për dashamirësit e çokollatës, këtë vit premtohet një dimër i ashpër. Kjo, pasi këtë javë, një ton kakao arriti nivele rekord, duke kapur çmimin më të lartë në 33 vitet e fundit, ku në disa muaj rritja ishte pothuajse 50%. Ekspertët pohojnë se gjatë pesë viteve të fundit, çmimi i këtij produkti të tregut botëror, është 3-fishuar. Ata e shpjegojnë këtë me mungesën e kontrollit dhe transparencës në tregun e mallrave bujqësore, gjë e cila shoqërohet me rritjen e papritur të çmimeve dhe natyrisht, manipulim të tyre. Vetëm të enjten, fondi “Armajaro” me bazë në Londër, ka kryer kontrata për të ardhmen e kakaos për mbi 240 mijë ton. Një shifër tronditëse kjo që korrespondon me 7% të prodhimit botëror të saj dhe që ka qenë gjatë një dite, disa orë para skadimit të kontratës, duket kjo një teknikë e përdorur për të manipuluar çmimin. Tani, tregtarët pyesin se çfarë do të ndodhë në muajt e ardhshëm. Pjesa e madhe e kakaos është vënë përsëri në vend ose do të mbahet mënjanë, që të rrisë më tej çmimin e saj. Problemi megjithatë nuk është i ri. Sipas një raporti të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, pjesa e prodhimeve bujqësore në duart e investitorëve të mëdhenj është rreth 25-30% e totalit dhe pasojat janë ndjerë në vendet me më shumë prodhues të kakaos si Bregu i Fildishtë, Brazili, Gana dhe Nigeria.
20 Korrik 2010