E Diel, 1 Nëntor 2026

Kreditimi i qeverisë, BSH do të vazhdojë pavarësisht rritjes së borxhit



Ervin KOÇI

Banka e Shqipërisë do të vijojë të mbajë rolin e saj të ndërmjetësit në kreditimin e qeverisë nga sistemi i brendshëm bankar gjatë këtyre muajve. Kjo është konfirmuar edhe nga Guvernatori i BSH-së, Ardian Fullani, në daljen më të fundit të tij për mediat së bashku me Misionin e FMN-së në Tiranë, dhe Ministrin e Financave, vetëm pak ditë më parë. Sipas kreut të Bankës Qendrore, sistemi bankar në vend është i aftë të kreditojë nevojat e qeverisë për borxhe, pavarësisht nivelit të kërkuar. Sipas tij, “shëndeti financiar dhe besimi në sistemin bankar është rikuperuar dhe primet e rrezikut në të kanë ardhur në rënie. Zhvillimet ekonomike gjatë gjysmës së parë të vitit kanë shtruar për diskutim edhe nevojën e rishikimit të politikave dhe të projeksioneve fiskale për pjesën e mbetur të vitit. Ritmi i realizimit i të ardhurave publike dhe nevoja për ruajtjen e qëndrueshmërisë fiskale e të besimit të publikut në të, bënë të domosdoshme marrjen e masave, të cilat garantojnë kontrollin e deficitit buxhetor dhe të borxhit publik”. Kreu i BSH-së ka vijuar më tej duke thënë se, “administrimi me realizëm i situatës fiskale dhe adoptimi i një filozofie kujdesi në zbatimin e buxhetit për vitin 2010, janë hapa të nevojshëm për garantimin e qëndrueshmërisë afatgjatë fiskale dhe për forcimin e ekuilibrave makroekonomikë. Një presion më i ulët i sektorit publik në tregjet e brendshme monetare krijon kushte më të përshtatshme për kreditimin e sektorit privat, nëpërmjet uljes së primeve të rrezikut dhe kontrollin e normave afatgjata të interesit”. Por me gjithë dëshirën e madhe të BSH-së për të rritur kreditimin si në sektorin publik ashtu dhe në atë privat, shifrat e raportit të fundit flasin për një përkeqësim të kredive me probleme.

Raporti
Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë ka hasur një sërë problemesh gjatë inspektimeve që ka kryer në bankat e vendit tonë për vitin 2009. Përveç moszbatimit të disa pikave të ligjit për bankat një tjetër problem mbetet edhe rritja e kredive të këqija edhe pse jo me ritme të shpejta si më parë. Ndërkohë, portofoli i kredive në valutë shfaqet disi më problematik në drejtim të cilësisë së tij, krahasuar me portofolin në monedhën vendase, në nivelin 10.6% kundrejt 10.1%. Sipas raporti të Këshillit Mbikëqyrës janë evidentuar disa mangësi në drejtim të shkeljes së limiteve për ekspozimet e bankave ndaj palëve të lidhura me to dhe emërimet të administratorëve në kundërshtim me kërkesat e ligjit. Gjithashtu subjekteve iu janë kërkuar të përmirësojnë sistemet e tyre të kontrollit dhe të përmirësojnë menaxhimin e rreziqeve. Madje janë rekomanduar disa përmirësime në drejtim të parandalimin e transaksioneve të dyshimta, trajnimin e personelit, krijimin e një baze të dhënash të klientëve dhe zbatimin e kërkesave të ligjit të ri që ka hyrë në fuqi gjatë vitit 2008. Shqetësim për sistemin bankar mbetet rritja e kredive me probleme gjatë vitit 2009, e cila përllogaritet në nivelin 20.8 miliardë lekë, ose 78.9% më shumë krahasuar me fundin e vitit 2008. Analiza e ecurisë së cilësisë së portofolit të kredisë për individët dhe bizneset gjatë vitit 2009 evidenton se bizneset shfaqen më problematikë, ku me kredi me probleme janë rreth 12.3% në fund të vitit 2009, nga 7.6% që ishin një vit më parë.

Rreziku i kreditit
Viti 2009 vijon të prezantojë rritje të kredidhënies, e cila përllogaritet me 53.1 miliardë lekë, ose me rreth 13.4% krahasuar me 104.3 miliardë lekë ose me rreth 35.7% gjatë vitit 2008. Vetëm gjatë tremujorit të katërt të vitit, teprica e kredisë së sistemit shënoi rritje me rreth 12,2 miliardë lekë ose me 2.8% nga rritja me 15.7 miliardë lekë ose me 3.7% në tremujorin e tretë. Ndërkohë, edhe norma mujore e rritjes së kredisë paraqitet kaotike dhe pa një trend të qartë kundrejt rritjes mesatare prej 1.05% të përllogaritur gjatë vitit 2009. Të dhënat lidhur me ecurinë e kredidhënies gjatë vitit 2009, konstatojnë se katër banka të sistemit, shënojnë kontributin më të madh në rritjen e kredisë gjatë vitit 2009 me 57% të kësaj rritjeje. Kontributi më i madh në rritjen e tepricës së kredisë gjatë tremujorit të katërt të vitit u dha nga bankat e grupit “G3” pasuar nga bankat e mesme të grupit “G2” dhe bankat e vogla të grupit “G1” më përkatësisht 5.2 miliardë lekë (1.8%), 4.9 miliardë lekë (3.7%) dhe 2.1 miliardë lekë (11.6%). Rritja e tepricës së kredisë për bankat e grupit “G3” përbën rreth 43% të rritjes së tepricës totale të kredisë, kundrejt 40% për “G2” dhe rreth 17% për “G1”.

20 Korrik 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›