“Vodafone Albania”, fushatë për riciklimin e celularëve të përdorur
Vodafone është i vetmi operator shqiptar në fushën e komunikimeve elektronike që nxit riciklimin e aparateve celularë të përdorur. Fillimisht, skema e riciklimit të celularëve u prezantua në vitin 2006 në dyqanet kryesore të Vodafone. Tashmë, me rreth 100 dyqane në mbarë vendin, kompania synon të japë një kontribut gjithnjë e më të madh në mbledhjen dhe riciklimin e celularëve të përdorur, si dhe në të njëjtën kohë të përcjellë një mesazh publik sensibilizues për nevojën e të qenit aktivë në mbrojtjen e mjedisit. Sipas Vodafone, çdo qytetar është i mirëpritur të vizitojë dyqanet në të gjithë vendin dhe të dorëzojë për riciklim celularët e përdorur dhe që nuk nevojiten më. Kjo do të parandalonte hedhjen e tyre në pikat tradicionale të grumbullimit të mbeturinave që nuk ofrojnë mundësinë e veçimit dhe përpunimit të veçantë të baterive dhe pjesëve të tjera të aparateve celularë, të dëmshme për mjedisin. Si shenjë mirënjohjeje për mbështetjen qytetare për këtë iniciativë sociale, Vodafone do të ofrojë dhurata speciale për 200 qytetarët e parë të cilët do të dorëzojnë aparatet e tyre të përdorur. Një karikues universal për celularë që furnizohet vetëm me energji diellore do t’i dhurohet çdo qytetari që do të dorëzojë të paktën 3 aparate celularë të përdorur. Vodafone i fton të gjithë qytetarët që ti bashkohen kësaj përpjekjeje për të mbajtur një ambient të pastër.
20 Korrik 2010