Gërdeci, Delijorgji dhe Pinari kërkojnë të gjykohen të lirë
Laureta Rryçi
Mihal Delijorgji dhe Ylli Pinari, dy prej tre të pandehurve të çështjes “Gërdeci” kërkuan nëpërmjet avokatëve të tyre lirimin nga burgu. Kërkesa hasi në kundërshtimin e ashpër të prokurorisë, kurse trupi gjykues pas një konsulte mes tyre, vendosi që për këtë çështje të shprehet seancën tjetër të radhës. Kërkesa në fjalë solli debate mes palëve në proces. Avokatët e të pandehurve të tjerë mbështetën kolegët e tyre duke e cilësuar kërkesën si të drejtë. Ndërkohë që përfaqësuesit e akuzës i kujtuan trupit gjykues se kërkesa nuk qëndronte dhe se llogaritja duhet të nisë nga dita kur dosja ka mbërritur në gjykatë për gjykim. Më pas seanca vijoi me pyetjen e disa dëshmitarëve.
Kërkesa
Ka vijuar edhe dje në Gjykatën e Shkallës së Parë të Tiranës seanca e radhës për zbardhjen e tragjedisë së Gërdecit, të ndodhur më 15 Mars të vitit 2008 ku humbën jetën 26 persona dhe u plagosën mbi 300 të tjerë. Maks Haxhia, avokati i Mihal Delijorgjit, administrator i fabrikës së çmontimit të armëve, “Alba-Demil” që shpërtheu më 15 Mars kërkoi sot lirimin e klientit të tij nën pretendimin se kanë skaduar afatet e paraburgimit. “Ka kaluar 1 vit e 4 muaj dhe nuk ka një vendim gjykate. Paraburgimi ka humbur fuqinë ligjore”, tha Haxhia në seancën gjyqësore mbi këtë çështje. Por, pas kësaj kërkese të Haxhisë, ka vijuar ajo e Bashkim Asllanit, avokat i Ylli Pinarit, që së bashku me Delijorgjin ndodhen në pranga për tragjedinë e Gërdecit. “Ka skaduar afati dhe për Pinarin”, tha ai. Pretendimet e dy avokatëve sollën reagimin e menjëhershëm të prokurorit të çështjes. Prokuroria kërkoi nga trupi gjykues mosmarrjen parasysh të kërkesës së avokatëve. “Afatet e paraburgimit nisin kur mbërrin dosja në gjykatë”, tha prokurori.
Debatet
Debatet prokurorë-avokatë përfshinë disa minuta sallën, ku pati dhe thirrje nga të pranishmit në seancë, familjarë të viktimave. Pas kësaj situate, trupi gjykues vendosi gjysmë ore pushim për të marrë një vendim. Pas konsultave jashtë sallës, trupi gjykues pas kthimit në sallë për të vazhduar seancën vendosi që për këtë çështje do të shprehet seancën e radhës. Kryetari i trupit gjykues, Ritvan Hado tha se është e pamundur të bëhen llogaritjet sot sipas kërkesës së avokatëve. “Janë bërë rreth 70 seanca dhe meqë është e pamundur të bëhen përllogaritjet brenda një dite, për kërkesën e avokatëve do shprehemi seancën e ardhshme”, tha Hado. Pas fjalës së kryetarit të trupit gjykues, seanca më pas vijoi me dëshmi të familjarëve të të dëmtuarve nga tragjedia.
Çështja “Gërdeci” me rreth 29 të pandehur, (3 në pranga) dhe mbi 300 dëshmitarë, të cilët aktualisht janë duke dhënë dëshmitë e tyre para Gjykatës, konsiderohet më e madhja në historinë e gjyqësorit. Prokuroria e ka vlerësuar “Gërdecin” si një gabim njerëzor, ndërsa pala e pandehur pretendon për një sabotazh të mundshëm. Si pasojë e një shpërthimi të fuqishëm të ndodhur më 15 mars të vitit 2008 në ish- fabrikën e demontimit të municioneve luftarake në fshatin Gërdec të Tiranës, humbën jetën 26 persona, ndërsa shumë të tjerë mbetën të plagosur. Ndërkohë pati dëme të mëdha në banesa e biznese.
Boc
Biznesmeni Selmanllari refuzon sërish Gjykatën për të dëshmuar
Në seancën e djeshme në Gjykatën e Shkallës së Parë u dëgjuan dëshmi nga familjarë të viktimave, por jo ajo e biznesmenit Rrahman Selmanllari. Ky i fundit është hera e dytë qëe refuzon të paraqitet në sallën e gjyqit për t’u vënë në dispozicion të drejtësisë për tragjedinë e Gërdecit. Trupi gjykues vendosi që Selmanllarit t’i përsëritet sërish thirrja për t’u paraqitur për dëshmi në gjykatë. Ndërkohë Gjykata e Shkallës së Parë vendosi që të thërrasë edhe 11 dëshmitarë të tjerë në seancën tjetër të radhës për shkak se munguan në seancën djeshme. Seanca e radhës u caktua të premten, 23 Korrik. Gjatë procesit, emri i Selmanllarit është përmendur vetëm nga një dëshmitar i cili ka pranuar të ketë lidhje krushqie me të por jo të ketë ndërhyrë ai për ta punësuar në fabrikën e Gërdecit. Vetë Selmanllari gjatë marrjes në pyetje nga Prokuroria, kur dosja ishte ende në fazën e hetimit është përgjigjur se nuk ka pasur marrëdhënie biznesi me Mihal Delijorgjin dhe se nuk kishte lidhje me fabrikën e tragjedisë. Madje biznesmeni ka mohuar të ketë punësuar ndonjë familjar të tij në atë fabrikë. Selmanllari ka pranuar të ketë njohje jo shumë të madhe me Delijorgjin por vetëm kaq.
Pasojat që solli tragjedia e Gërdecit
27 persona të plagosur rëndë, të përshkruar në aneksin nr. 1, bashkëlidhur.
109 persona të plagosur lehtë nga kjo vepër penale, të përshkruar në aneksin nr. 2, bashkëlidhur.
67 persona me dëmtime të tjera të lehta nga kjo vepër penale, të përshkruar në aneksin nr. 3, bashkëlidhur.
61 persona të tjerë të trajtuar në spitale, për të cilët nuk është mundësuar përcaktimi i shkallës së dëmtimit, të përshkruar në aneksin nr. 4, bashkëlidhur.
5829 personave u është shkaktuar dëm material në vlerë 2 141 343 616 lekë, nga vepra penale e shkatërrimit të pronës me eksploziv, që përfaqësojnë shkatërrime dhe dëmtime banesa, biznese, orendi të tyre, 13 ferma bujqësore dhe blegtorale, të përshkruar në aneksin nr.5, bashkëlidhur. Kjo vlerë dëmi është kompensuar nga shteti dhe interesat e të cilit përfaqësohen nga Avokati i Shtetit.
Shtetit i është shkaktuar dëm material në vlerë 102 500 000 lekë nga vepra penale e shkatërrimit të pronës me eksploziv që përfshin shkatërrimin dhe dëmtimin e objekteve sociale, shkollave, zyrave dhe orendive të tyre, interesat e të cilit përfaqësohen nga Avokati i Shtetit.
Shtetit i është shkaktuar dëm material në vlerë 1 323 600 354 lekë nga veprat penale të shpërdorimit të detyrës, që përfaqësojnë pasuri në administrim të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcave të Armatosura, interesat e të cilit përfaqësohen nga Avokati i Shtetit.
20 Korrik 2010