Bizneset borxhlinj, Tatimet publikojnë listën e “zezë” me 1013 subjekte
Ervin KOÇI
Rendimenti i ulët në grumbullimin e të ardhurave tatimore ka detyruar Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve që të nisë një aksionin në shkallë vendi ndaj të gjitha atyre subjekteve që rezultojnë si debitorë ndaj shtetit. Të gjitha bizneset të cilët nuk kanë paguar detyrimet, jo vetëm që tani do të përballen me sanksionet që parashikon ligji "Për Procedurat Tatimore", por do të kenë të afishuar emrat edhe në një listë në të cilën DPT-ja ka renditur të gjithë emrat e debitorëve. Emrat janë publikuar në faqen zyrtare të tatimeve dhe bëhet fjalë për 1013 subjekte, kryesisht nga Tirana dhe Fieri, ku nuk mungojnë VIP-at dhe shoqëri të njohura në botën e biznesit. Në fillim të listës, Tatimet u bëjnë me dije këtyre bizneseve se emri nga lista i borxhlinjve do të hiqet vetëm nëse shlyhen detyrimet, ndërsa më poshtë rendit masat që do të merren për vjeljen e detyrimeve, qoftë edhe me përdorimin e forcës. “Njoftimi bëhet që personat e tretë të marrin dijeni për fillimin e këtyre procedurave dhe që organet apo institucionet që kanë bërë regjistrime të pasurive të luajtshme apo të paluajtshme të tatimpaguesve debitorë, të regjistrojnë detyrimin tatimor të papaguar si barrë mbi këtë pasuri dhe të mos lejojnë kryerjen e transaksioneve për transferimin e pasurive të tatimpaguesve debitorë, deri në momentin që detyrimi tatimor i papaguar të arkëtohet”,- deklarohet në njoftimin zyrtar të DPT-së. Përbri emrit të subjektit, tatimet kanë vendosur administratorin, Nipt-in dhe datën kur ka lindur detyrimi, kurse shuma e borxhit nuk është publikuar, për vet faktin se ai rritet çdo ditë, për shkak të kamatëvonesave etj. Nëse tatimpaguesi nuk paguan në datën e caktuar detyrimin tatimor, në përputhje me nenin 89 të ligjit “Për Procedurat Tatimore”, detyrimi tatimor i papaguar sigurohet në favor të administratës tatimore mbi të gjithë pasurinë e tatimpaguesit, në masën e nevojshme, për të përmbushur detyrimin tatimor të tij. Nëse detyrimi nuk është paguar, administrata tatimore nxjerr njoftimin, me anë të të cilit tatimpaguesi dhe çdo person tjetër marrin dijeni, se ndaj pasurive të biznesit Tatimet kanë nxjerrë urdhrin për bllokimin e tyre dhe se kanë filluar procedurat për ekzekutimin e detyrimeve tatimore të papaguara. Njoftimi sipas parashikimit më sipër bëhet për faktin që personat e tretë të marrin dijeni për fillimin e këtyre procedurave dhe se organet apo institucionet që kanë regjistrime të pasurive të luajtshme apo të paluajtshme të biznesit debitor të regjistrojnë detyrimin tatimor të papaguar si barrë mbi këto pasuri dhe të mos lejojnë kryerjen e transaksioneve për transferimin e pasurive të tatimpaguesit debitor, deri në momentin që detyrimi tatimor i papaguar është arkëtuar. Si pasuri e biznesit konsiderohen të gjitha pasuritë e luajtshme dhe të paluajtshme të tij, që ka në pronësi, apo që ndodhen në përdorim, apo me të drejta të tjera te persona të tretë.
20 Korrik 2010