Lesi: Strategji për 12 muaj me turistë, jo vetëm për plazh
Zv.ministri i Turizmit, Nikollë Lesi, tha dje në konferencën mbi turizmin dhe perspektivat e tij se, fillimisht duhen ndryshuar disa pika në Strategjinë Kombëtare të Turizmit. “Shqipëria si një vend mesdhetar e shumë i kërkuar vitet e fundit ka nevojë për një turizëm që të gjallërojë 12 muajt e vitit e jo vetëm në kohën e verës për plazh. Duke pasur një vend që gjithnjë po ndryshon në të gjitha pikëpamjet, ndonëse ngadalë, por ama përditë, duhet që t’i jepet shumë pikësynim turizmit kulturor, pasi në këtë drejtim mund të shfrytëzojmë potencialin tonë për një turizëm gjithëvjetor”, tha Lesi. Me tej zv/ministri i Turizmit i mëshoi faktit se ka nevojë për ndryshime të forta në ligjin aktual të turizmit, pasi nuk është favorizues e nxitës, por në disa drejtime pengues. “Jemi duke ndryshuar ligjin, por kjo mund të realizohet nga vjeshta, që të kalojë në Kuvendin e Shqipërisë. Ministria apo një institucion tjetër kushdo qoftë, por ama shtetëror, duhet t’i licencojë dhe klasifikojë e natyrisht, t’i kontrollojë hotelet e restorantet turistike, pasi sot është krejtësisht vullnetare vendosja e yjeve të hoteleve, çka e ka degjeneruar konceptin e yjeve, pasi kushdo vendos yjet sipas dëshirës, duke gënjyer klientët”.