Arrestohet me qëllim ekstradimi drejt Shqipërisë, 45-vjeçari

Zyra Qëndrore Kombëtare Interpol Tirana deklaron se nga autoritetet policore greke është arrestuar me qellim ekstradimi drejt Shqipërisë, shtetasi Ilir Dhamo Gabeta, 45 vjec, lindur në Korçë.
45 vjeçarin Gabeta, Gjykata e Shkallës së Parë Librazhd, e ka dënuar me 4 vjet burg për veprën penale të "Shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor". Ky vendim është lënë në fuqi dhe me vendimin e datës 19.09.2005 të Gjykatës së Apelit në Durrës.
Ngjarja për të cilën shtetasi Ilir Gabeta është deklaruar fajtor ka ndodhur me datë 04.05.2004, në vendin e quajtur "Kthesat e Forta" në Hotolisht, Librazhd. Si rezultat i mos respektimit të rregullave të qarkullimit rrugor dhe shpejtësisë tej normave të lejuara, shtetasi Ilir Gabeta teksa drejtonte automjetin tip Benz me targa KO 9588 A, është përplasur me automjetin që vinte përballë në krahun e tij, tip autobus me targa EL1249B, me drejtues shtetasin Skënder Dema.
Si pasojë e këtij aksidenti të rëndë kanë mbetur të vdekur bashkëshortët Dëfrim Shahollari, Pranvera Shahollari, është plagosur rëndë drejtuesi i autobusit Skënder Dema dhe janë plagosur lehtë disa persona të tjerë. Po ashtu i dëmtuar ka mbetur dhe shtetasi Ilir Gabeta.
Arrestimi i shtetasit Ilir Gabeta është bërë i mundur si rezultat i bashkëpunimit e shkëmbimit të informacionit ndërmjet Interpol Tiranës me Interpol Athinën.