E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arrestohet memaljoti që grabiste në ‘97-ën

Ngjarjet e ‘97-ës rikthehen në vëmendjen e policisë, e cila ka prangosur një person të kërkuar dhe dënuar nga drejtësia. Edmond Goxhaj, 39 vjeç, nga qyteti i Memaliajt, është kapur dje nga uniformat blu të Memaliajt në kryeqytet gjatë një aksioni blic. Sipas burimeve zyrtare nga policia e Gjirokastrës, agjentët e krimeve të Gjirokastrës, arritën të lokalizonin vendndodhjen e Goxhajt në një banesë me qira në zonën e maternitetit të ri të Tiranës, ku qëndronte i fshehur prej kohësh. Është dashur një ditë për të kërkuar dhe gjetur vendstrehimin e 39-vjeçarit, i cili akuzohet se 11 vjet më parë ka grabitur nën kërcënimin e armëve disa pasagjerë. Shtetasi në fjalë ishte shpallur në kërkim nga shkalla e dytë e gjyqësorit prej shtatë vjetësh, pasi është dënuar me vendim të formës së prerë në 13 shkurt të 2001 me gjashtë vjet burg për veprën penale të vjedhjes me armë në bashkëpunim. Veprën e mësipërme penale, ai e ka konsumuar më 22 maj të 1997 ku në Agjencinë e Udhëtarëve në Tepelenë, kishte grabitur me dhunë nën kërcënimin e armëve të zjarrit, pasagjerët e autobusit që qarkullonte nga Fieri në drejtim të Gjirokastrës. Në këtë veprim të paligjshëm, Goxhaj ishte ndihmuar edhe nga dy shokë të tij, të cilët pasi janë dënuar dhe kanë vuajtur dënimin në institucionet e riedukimit në vend, gjenden të lirë. Materialet i kanë kaluar organit të akuzës për veprime të mëtejshme. Rasti i sotëm e çon në tetë numrin e çështjeve penale vetëm për këtë vit të ndjekura nga policia e Gjirokastrës për ngjarjet e 1997-ës.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›