Eksploziv supermarketit, në kërkim i dyshuari
Policia ka nisur hetimin për një shpërthim të ndodhur në një supermarket pranë ish-NSHRAK-ut, në Tiranë. Për këtë policia ka shoqëruar shtatë persona, por më pas i ka lënë sërish të lirë. Megjithatë, gjatë orëve të vona, policia ka identifikuar të dyshuarin, të cilin e ka shpallur në kërkim. Policia e Tiranës bëri të ditur se të shoqëruarit dyshohej se kishin dijeni për shpërthimin e ndodhur dy net më parë në një supermarket pranë ish-NSHRAK-ut, në Tiranë. Mësohet se pasi janë marrë në pyetje, ata janë lënë të lirë. Shpërthimi, i cili ndodhi rreth orës 23:30 të mbrëmjes së të premtes tmerroi banorët e zonës përreth. Në momentin e shpërthimit, dyqani ka qenë i mbyllur dhe nuk raportohet të ketë pasur të lënduar. Eksplozivi i vendosur në derën e supermarketit "Igli", ka dëmtuar fasadën dhe xhamat e dyqanit. Me të marrë sinjalizimin përkatës, në vendin e ngjarjes kanë shkuar shërbimet e Komisariatit Nr. 2 të Policisë së Tiranës dhe oficerët e seksionit të shkatërrimit të pronës. Ndërsa në orët e pasdites së djeshme, fakte të reja kanë dalë nga hetimi i kësaj ngjarjeje. Sipas grupit të punës, u kryen veprimet e para hetimore, ku rezultoi se nga shpërthimi i eksplozivit, ishte dëmtuar qepeni metalik dhe fasada e xhamit. "Nga puna e bërë rezultoi se, autor i dyshuar është Nikoll Deda, i cili ka pasur konflikte të vazhdueshme, për probleme pronësie", deklaroi policia, e cila shtoi se po punohet për kapjen e tij dhe sqarimin e rrethanave të ngjarjes. Materialet do t‘i kalojnë prokurorisë, për veprën penale të "shkatërrim i pronës me eksploziv".