Ruli: OSSH, negociatat me çekët po bëhen të vështira
Privatizimi i Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes duket se do të vijojë si proces edhe në vitin 2009. I trumbetuar nga qeveria si sukses historik ndër privatizimet e arritura, shitja e 76 për qind e aksioneve të OSSH po bëhet gjithnjë e më e vështirë. Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Genc Ruli, në konferencën e djeshme për shtyp ka pranuar vështirësitë që po has pala shqiptare me kompaninë çeke, CEZ, e cila po tregohet skeptike në lidhje me nivelin e borxhit që ka Ndërmarrja e Menaxhimit të Energjisë Elektrike. "Janë pika që kanë të bëjnë me borxhet e këqija që popullata dhe institucionet buxhetore i kanë Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare-KESH. Janë pika që kanë të bëjnë me investitorin, i cili do të negociojë me faktin se gjatë periudhës së parë të veprimit do të ketë edhe humbje", u shpreh ministri i Energjetikës. Kompania çeke është e vetëdijshme që kryerja e aktivitetit në Shqipëri do të jetë e vështirë, nisur në radhë të parë nga çmimi i shitjes së energjisë elektrike, që është nën kosto, si dhe nga niveli i humbjeve teknike. Këto dy elemente përbëjnë shqetësim për çekët, të cilët kërkojnë tashmë garanci më të mëdha duke përfshirë në bisedime edhe ndërkombëtarët. "Negocimi vazhdon paralelisht, sepse krahas qeverisë shqiptare po bëhen negociata edhe me Bankën Botërore, e cila do të japë një fond garancie për shoqërinë çeke", ka sqaruar Ruli. Garancia që parashikon të vendosë BB-ja është diku te 40 milionë euro. Tenderi për shitjen e OSSH u zhvillua në shtator dhe në të u shpall fituese shoqëria çeke CEZ, e cila ofroi 102 milionë euro për blerjen e 76 për qind të aksioneve. Kompania ka pranuar gjithashtu që të kryejë një nivel investimi brenda pesë vjetëve të para në rreth 300 milionë euro, ndërsa paraprakisht kishte pranuar që të mbante të pandryshuar nivelin aktual të çmimeve të energjisë elektrike të paktën edhe për vitin 2009. Me sa duket, 140 milionë euro borxhe që ka OSSH-ja, si dhe arkëtimet në nivele jo fort optimiste, nuk u japin çekëve garanci për një zhvillim normal aktiviteti privat. OSSH-ja, dikur e quajtur Divizioni i Shpërndarjes, haset në vështirë të mëdha edhe për sa i takon mentalitetit të menaxhimit të ndërmarrjes. Gjatë këtij viti, operatori ka ndërruar disa krerë degësh lokale për efekt të mosrealizimit të planit. Për këtë pikë, ministri Ruli pranoi se një pjesë e stakimit të energjisë elektrike kryhet nga disa drejtues të OSSH për të përmirësuar bilancin ekonomik. "Kjo nuk do të lejohet. Stakimi i dritave do të kryhet vetëm në raste avarish, por jo për të përmirësuar gjendjen e ndonjë ndërmarrjeje të OSSH-së", tha Ruli. Sa i takon furnizimit me drita për rastin e festave, ministri garantoi normalitet dhe gjendje pozitive për konsumatorët.