E Diel, 1 Nëntor 2026

Sondazhi i BSH-së, bankat: Inflacioni pas 1 viti, 3.4%

Bankat mendojnë se inflacioni për 12 muajt e ardhshëm do të jetë rreth 3.4 për qind. Aktualisht, niveli i llogaritur nga INSTAT arrin në 2,6 për qind. Rezultati doli pas sondazhit të kryer nga Banka e Shqipërisë në muajt tetor-nëntor 2008. Pritjet mesatare të ekspertëve të bankave për vlerën e inflacionit pas 12 muajve, në periudhën tetor-nëntor 2008, janë rreth nivelit 3.4 për qind, krahasuar me 3.9 për qind në tremujorin e dytë 2008. Nga të dhënat e përgjigjeve mbi parashikimin e normës së inflacionit pas 12 muajve, në vrojtimin e muajit nëntor, rezultoi se norma e inflacionit do të qëndrojë brenda intervalit 2-4 për qind me një probabilitet 66 për qind, 10 pikë përqindjeje më lart se muajin e kaluar. Sipas BSH-së, në periudhë afatshkurtër, pritjet për vlerën e inflacionit vjetor pas një muaji paraqiten optimiste. Bankat shprehen më të sigurta se një muaj më parë, që inflacioni pas një muaji të jetë në intervalin 2-4 për qind. Ndërkohë që probabiliteti që norma vjetore e inflacionit pas një muaji të jetë mbi 4 për qind, ka rënë lehtë. BSH e kryen sondazhin pothuajse çdo muaj, me qëllimin për të krijuar një ide të qartë rreth perceptimit të bankave ndaj fenomeneve të ndryshme makroekonomike. Sa i takon kostos në prodhim për ekonominë e vendit rezultati i sondazhit tregon se prirjet janë për rritje të mëtejshme. Kështu, sipas vlerësimit në vrojtimin e besimit të biznesit, kanë regjistruar prirje në rritje duke filluar që nga gjysma e dytë e vitit 2007. Megjithatë, gjatë tremujorit të fundit është regjistruar një rënie në balancën e çmimeve të prodhimit prej 7 pikë përqindjeje.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›