E Diel, 1 Nëntor 2026

Dhuna ndaj gazetarit, policia zbulon autorin

Akti i dhunës ndaj gazetarit Luan Kondi zv/kryeredaktor i gazetës "Albania" është dënuar edhe nga qeveria shqiptare. Në një deklarate për shtyp, qeveria shprehet se dënon me ashpërsinë më të madhe agresionin ndaj gazetarit të gazetës "Albania", Luan Kondi. Qeveria e cilëson këtë një akt të shëmtuar dhe kriminal, ndërkohë që u kërkon organeve kompetente vënien para ligjit të agresorit. Menjëherë ka ardhur edhe reagimi i Policisë së Shtetit. Në një deklaratë për shtyp, policia bën të ditur se strukturat e Komisariatit të Policisë Nr. 3 në Tiranë janë të angazhuar maksimalisht për të zbardhur këtë incident. Ata mundën të identifikojnë autorësinë e kësaj ngjarjeje, i cili dyshohet të jetë shtetasi Leonard Pëllumb Zani, 34 vjeç, lindur e banues në Tiranë. Aktualisht, shtetasi Leonard Pëllumb Zani ndodhet i shoqëruar në ambientet e Komisariatit Nr. 3 Tiranë. Ndërkohë, u konkludua se motivi i kësaj grindjeje, përmes shtetasit Luan Kondi dhe Leonard Zani, ka filluar pas një debati për motive të dobëta. Materialet hetimore të përpiluara në ngarkim të shtetasit Leonard Zani do t‘i kalojnë prokurorisë, për veprën penale të "Dëmtimit me dashje", parashikuar nga neni 90 i Kodit Penal. Ndërsa gazetari i dhunuar, Luan Kondi, ka rrëfyer para kolegëve momentin kur është gjendur mes dhunës dhe grushteve të katër personave të panjohur. Me shenja hematome në fytyrë, Kondi është i bindur se agresioni ndaj tij ka lidhje me profesionin. Siç shprehet ai, nuk i njihte agresorët dhe me askënd nuk kishte krijuar probleme gjatë punës së tij 12-vjeçare si gazetar.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›