Arrestohet në Afrikën e Jugut vrasësi i Arkanit

Arrestohet në Afrikën e Jugut vrasësi i ish-ushtarit të njohur serb dhe të akuzuarit për krime lufte në Bosnjë e Hercegovinë, por edhe në Kosovë, Zhelko Razhnjatoviç ose i njohur ndryshe me emrin Arkan.
Lajmi bëhet i ditur nga një gazetë vendase e cila thekson se është arrestuar Dobrosav Gavriç i cili është dënuar në vitin 2006 me 30 vjet burg për vrasjen e Arkanit, por ai ka qenë në arrati deri tani. Ai është arrestuar në Afrikën e Jugut dhe do të paraqitet në gjykatë muajin e ardhshëm për akuza lidhur me drogën.
Arkan, i cili ishte paditur nga gjykata e krimeve të luftës së OKB-së për krime gjatë luftës në Bosnjë, në vitet 1992-1995, u qëllua për vdekje në një hotel të Beogradit në janar të vitit 2000.
Gazeta "New Age" tha sot se identiteti i Gavriçit u zbardh gjatë një hetimi të policisë për krimin e organizuar në Cape Town. Gazeta tha se Serbia pritet të kërkojë ekstradimin e tij për të vuajtur dënimin atje.