E Shtunë, 31 Tetor 2026

Jahjava-Clinton: SHBA mbështet Kosovën për sovranitetin

Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton priti të mërkurën në Washington presidenten e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, të cilat nënshkruan edhe një marrëveshje për Mbrojtjen dhe Ruajtjen e Trashëgimisë Kulturore. Klinton pasi foli për rëndësinë e marrëveshjes, përsëriti mbështetjen e fuqishme për sovranitetin dhe tërësinë territoriale të Kosovës.
 

Presidenti Barack Obama dhe unë, tha Clinton, jemi të përkushtuar për të garantuar se e ardhmja që Kosovës do të ketë rëndësi të madhe jo vetëm për popullin e Kosovës, por për të gjithë rajonin. Më tej ajo theksoi se shpreson që vendimi i javës së kaluar i Bashkimit Evropian të hapë rrugën për integrimin e Kosovës në BE.
 

Nga ana e saj, presidentja Jahjaga e konsideroi marrëveshjen e nënshkruar në Departamentin e Shtetit një akt të fuqishëm simbolik që flet për marrëdhëniet e forta ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara. Ajo tha se Shtetet e Bashkuara e kanë mbështetur vazhdimisht Kosovën. Qëndrimi ynë, tha Jahjaga, është ndërtimi i marrëdhënieve të mira me të gjithë fqinjët. Kosova, tha ajo, është vend i ri me një histori të gjatë dhe ka një trashëgimi të pasur kulturore.
 

Presidentja e Kosovës ndodhet në Washington në kuadër të pjesmarrjes në një sërë aktivitetesh. Të enjten, Jahjaga do të marrë pjesë në përurimin e një nisme të re të Sekretares Clinton për të shtuar numrin e grave në shërbimin publik dhe në udhëheqjen politike të të gjitha niveleve.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›