Arrestohet në Ankara ``i tmerrshmi`` i Lushnjës
I njohur si Aldo Bare, lushnjari Alfred Shkurti, i shumëkërkuari i policisë shqiptare, është arrestuar në orët e para të mëngjesit të së shtunës në kryeqytetin turk Ankara. Lajmi u bë i ditur nga e përditshmja më e madhe turke Zaman Sipas gazetës, forcat speciale të Luftës Kundër Krimit të Organizuar dhe Trafiqeve, e kanë arrestuar Shkurtin në një shtëpi në lagjen Batikent në Ankara. Zyrtarë të policisë turke, bënë të ditur se Shkurti përdorte një pasaportë të falsifikuar maqedonase. Ai njihet si kreu i bandës së Lushnjës, me pseudonimin Aldo Bare dhe është një nga personat më të kërkuar të drejtësisë shqiptare. Që nga viti 2000, Shkurti kërkohet në buletin të kuq nga ana e Interpolit. Shkuri do të nxirret para gjykatës turke nga policia e Ankarasë, dhe menjëherë do të nisin procedurat e ekstradimit. Dy muaj më parë, forcat kundër krimit të organizuar në Shqipëri, nisën një operacion kundër bandës së Lushnjës dhe arrestuan disa nga eksponentët e saj.