E Diel, 1 Nëntor 2026

Arrestohet në Bullgari biznesmeni i akuzuar për tenderin e uniformave

Prangosja Ilir Sulo është prangosur pas kërkesës së drejtësisë shqiptare. Akuzohet për mitëdhënie ndaj punonjësve të Ministrisë së Brendshme

Arrestohet në Bullgari biznesmeni i akuzuar për mitëdhënie në tenderin e uniformave në Ministrinë e Brendshme. Ilir Sulo, 37 vjeç, ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga drejtësia shqiptare, ndërsa të dhënat e tij janë publikuar në faqen zyrtare të Interpolit. Burime nga Prokuroria e Përgjithshme thanë për gazetën “Shqip” se Sulo është arrestuar dy ditë më parë në kryeqytetin bullgar, Sofje, pasi është ndaluar nga policia vendase për verifikim. Pas krahasimit të gjurmëve të gishtave, ai ka rezultuar person i shpallur në kërkim ndërkombëtar. Autoritetet bullgare kanë njoftuar zyrën e Interpol Tiranës dhe më pas Prokurorinë e Përgjithshme Shqiptare për procedurat e ekstradimit. Menjëherë, akuza shqiptare ka përgatitur kërkesën për ekstradim, pasi 37-vjeçari konsiderohet si i akuzuari kryesor për abuzimet e tenderit të uniformave në Ministrinë e Brendshme, ku u arrestuan disa zyrtarë dhe biznesmenë.

Dosja

Sipas akuzës, skandali për tenderin e Ministrisë së Brendshme për blerjen e uniformave është zbuluar nga përgjimi dhe vëzhgimi. Ka rezultuar se një nga zyrtarët e akuzuar, shef në Gardë, ka marrë një çantë me para nga një biznesmen i një shoqërie të njohur pjesëmarrëse në tender. Ilir Sulo, në marrëveshje me tre biznesmenët, Agur Sadiku, Jani Gjergjefi dhe Artan Berberi, kanë paguar shumën e majme, me qëllim që kompanitë e tyre të shpalleshin fituese të tenderit dhjetëra milionësh. Akuza deklaron se shkëmbimi i parave është bërë në bulevardin “Zogu I” në Tiranë. Nga të dhënat rezulton se biznesmeni Ilir Sulo, i arrestuar dy ditë më parë në Bullgari, i ka dorëzuar paratë ish-zyrtarit të Gardës. Faktet kanë dalë në dritë nga bashkëpunimi i biznesmenëve dhe nga vëzhgimi i personave në terren nga struktura të specializuara që kanë bërë filmimin e marrjes dhe dhënies së ryshfetit. Për tre muaj me radhë Prokuroria e Tiranës ka kryer të gjitha veprimet e duhura procedurale dhe duke u ndihmuar nga një biznesmen, ka rezultuar se gjatë zhvillimit të tenderit të uniformave në Ministrinë e Brendshme ka pasur shkelje në formën e veprave penale. Një nga zyrtarët e ministrisë, tashmë i arrestuar, do të merrte 150 milionë lekë, ndërsa ndërmjetës ishte pikërisht Ilir Sulo, i cili ia kishte dhënë paratë B.M. dhe se në rast se nuk do shpalleshin fitues, do ia merrnin mbrapsht.

Vëzhgimi

Prokuroria thotë se do të dërgojë në shtetin bullgar të gjitha materialet e dosjes që akuzohet biznesmeni Ilir Sulo. Sipas tyre, një raport i plotë është përgatitur me shpejtësi dhe do t’i dërgohet këto ditë Ministrisë së Drejtësisë, e cila do të nisë urgjentisht në Sofje kërkesën për ekstradim. Mësohet se biznesmeni Sulo ka qenë personi që i ka dhënë ryshfet njërit prej zyrtarëve të ministrisë. Në datën 25 nëntor të vitit të kaluar, pranë bulevardit “Zogu I” ai është filmuar teksa ka hapur bagazhin e makinës dhe ka nxjerrë prej andej një thes të zi të cilin e ka futur në një çantë plastike të bardhë me fjongo të kuqe. Disa minuta më pas në vendin që ishte Sulo ka shkuar një ish-zyrtar i Gardës duke i marrë çantën e zezë dhe së bashku kanë biseduar për pesë minuta. Krahas këtyre vëzhgimeve, akuza thotë se disponon edhe përgjime, ku biznesmeni i arrestuar në Bullgari pret një telefonatë nga një koleg i tij. Aty bisedojnë për mënyrën e dhënies së ryshfetit personave përgjegjës.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›