E Shtunë, 31 Tetor 2026

Eshton: Ballkani të tregojë me vepra se e lufton korrupsionin

Kryediplomatja e BE-së

Kryediplomatja e BE-së, Ketrin Eshton, ka bërë të ditur mjaft qartë se nëse vendet e Ballkanit Perëndimor do të integrohen në Bashkimin Europian, atëherë ata duhet të tregojnë me prova konkrete se janë të gatshëm të luftojnë krimin e organizuar dhe korrupsionin. Nga Sarajeva, britanikja që ka zëvendësuar Havier Solanën, tha se Ballkani Perëndimor është prioritet i lartë në politikën e jashtme të Bashkimit Europian dhe se Brukseli mbetet i përkushtuar për perspektivën europiane të gjithë rajonit. "Në Kosovë jam veçanërisht e interesuar për të diskutuar mbi përparimin e bërë në sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit dhe kundër krimit të organizuar, si dhe për udhëheqjen", tha Eshton. Ajo e filloi turneun në Ballkan dje me vizitën në Sarajevë. “Bosnjë-Hercegovina ndodhet në një udhëkryq të rëndësishëm të zhvillimit politik, prandaj dua të theksoj se është me rëndësi që Bosnje Hercegovina ta vazhdojë rrugën e vet drejt BE-së”, thuhet në njoftimin nga Brukseli. Eshton do të takohet me udhëheqësit politikë dhe përfaqësuesit e shoqërisë civile dhe të misioneve të BE-së në rajon.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›