E Shtunë, 31 Tetor 2026

Refuzohet letër-porosia e Beogradit për hetim

Kërkesa e Serbisë e bazuar në informacione të pabazuara dhe jo në fakte reale

TIRANË- Ministria Shqiptare e Drejtësisë i refuzoi Prokurorisë serbe të Krimeve të Luftës kërkesën për hetimin e akuzave verbale të ngritura nga Karla Del Ponte mbi rrëmbimin e rreth 300 serbëve gjatë luftës së Kosovës dhe transplantimin e organeve të tyre për trafik në një fshat të Burrelit.


Lajmi konfirmohet nga burimet zyrtare pranë këtij institucioni, duke pohuar për "Shekullin" se letër-porosia e ardhur në tetor të 2008 nga pala serbe, është kthyer mbrapsht duke refuzuar nisjen e hetimit.


Ardhja e kësaj letër-porosie e bazuar në Konventën Ndërkombëtare mbi Ndihmën e Ndërsjelltë Juridike në fushën penale të vitit 1959, zyrtarët e Ministrisë së Drejtësisë e kanë cilësuar si një kërkesë politike dhe provokuese.


"Letër-porosia e ardhur është refuzuar, jo vetëm për shkaqe patriotike, por edhe për arsyen thelbësore të bazës juridike e cila nuk ishte e argumentuar siç e kërkon Konventa Ndërkombëtare mbi Ndihmën e Ndërsjelltë Juridike.


Kjo kërkesë është cilësuar si më shumë e karakterit politik dhe si një provokim të drejtuar ndaj shtetit shqiptar",-thanë zyrtarët e lartë të dikasterit të Drejtësisë.
Gjithashtu, ky fakt është konfirmuar edhe nga vetë Ministri i Drejtësisë në një intervistë të dhënë për një media në fund të muajit mars, ku saktëson edhe arsyen zyrtare të refuzimit të kësaj letër-porosie politike.


"Duke iu referuar në mënyrë strikte frymës, por edhe germës së kësaj konvente ka rezultuar që në përmbajtjen e kësaj kërkese nuk tregoheshin aspak disa kërkesa ose premisa bazë që të konsiderohej një akt i plotë, i qartë, i aftë për ta konsideruar të tillë, për të krijuar një lloj marrëdhënie bashkëpunimi midis institucioneve hetimore në Shqipëri dhe atyre Serbe.


Neni 14 i konventës parashikon që një letër porosi, një kërkesë për ndihmë hetimi duhet të tregojë në mënyrë të qartë dhe të saktë se cilat janë aktet konkrete kriminale të kryera dhe veç këtyre cilat janë burimet e provave. Madje, vetë kërkesa e bërë nga Prokuroria serbe thotë: "Deri më tani nuk ka njohuri të sigurta mbi llojet dhe format e torturave".


Pra ishte thjesht dhe vetëm një kërkesë e bazuar në asnjë lloj fakti të marrë në formë ligjore.


Sipas rendit juridik serb ishte thjesht dhe vetëm një kërkesë e cila nuk është gjë tjetër veçse pasojë e thënies në librin e zonjës Del Ponte, thuhej në përgjigjen e Ministrit të Drejtësisë Enkelejd Alibeaj dhënë për gazetarin.


Gjithashtu, mësohet se ky qëndrim zyrtar është mbajtur edhe dy ditë më parë në takimin që Alibeaj pati me të dërguarin e Këshillit të Evropës, senatori zviceran Dick Marty në Tiranë, i cili është ngarkuar nga KE-ja të mbledhë fakte dhe prova mbi pretendimet e Beogradit.


Në takimin e dy ditëve më parë, ministri Alibeaj mësohet se e ka përsëritur qëndrimin zyrtar të qeverisë shqiptare mbi pretendimin e palës serbe, duke saktësuar para senatorit Marty se pala shqiptare është e gatshme të bashkëpunojë për këtë çështje, duke i kujtuar të dërguarit të KE-së se për këto pretendime janë kryer katër herë hetime.

----------------------------------------------------------------------------------------

Alibeaj për hetimin e vitit 2004


Prokuroria shqiptare, përveç gatishmërisë së saj në vitin 2004 ka qenë e gatshme dhe ka bashkëpunuar edhe në tre rastet e tjera të hetimit për këtë çështje.


Hetime janë kryer edhe në vitin 1990, 1999 dhe në vitin 2002 e 2004 ku kanë qenë të pranishme dhe hetues të Gjykatës së Hagës dhe në fund të këtij verifikimi ka rezultuar se pretendimet e serbëve janë të pa vërteta",-mësohet t'i ketë thënë Alibeaj senatorit zviceran Marty, që për dy ditë po qëndron në Shqipëri duke takuar zyrtarët e lartë të dikasterit të drejtësisë për këtë çështje.


TAKIMI

Senatori Marti njihet nga Prokuroria me hetimin e vitit 2004


TIRANË- Gjatë paradites së djeshme, senatori zviceran Dick Marty i ngarkuar nga Këshilli i Evropës për të mbledhur fakte mbi pretendimet e serbëve për trafik organesh në Shqipëri të komunitetit serb të rrëmbyer gjatë luftës në Kosovë, ka takuar paraditen e djeshme zyrtarët e lartë të Prokurorisë së Përgjithshme.


Mësohet se në takimin e djeshëm, senatori Marty është pritur nga Drejtori i Inspektimeve dhe Burimeve Njerëzore pranë Prokurorisë së Përgjithshme prokurori Arben Dollapi dhe Drejtori i Marrëdhënieve Juridike me jashtë, ku këta të fundit e kanë njoftuar të dërguarin e KE-së për verifikimin e akuzave të Beogradit të kryer në vitin 2004.


Sipas burimeve pranë këtij institucioni, mësohet se prokurori Dollapi i është përgjigjur interesit të senatorit Marty, duke e njoftuar për detajet e vendimit të verifikimit të pretendimeve të Beogradit të kryera nga hetues shqiptarë dhe hetues të ardhur nga Gjykata e Hagës në vitin 2004.


Në konkluzionin e këtij verifikimi, është konfirmuar edhe njëherë se pretendimet e Beogradit të bazuar në librin e kryeprokurores së Hagës, Carla Del Ponte janë të pavërteta.


Në librin "Gjuetia"; Kriminelet e luftës dhe unë", Del Ponte shkruante se "rreth 100 deri 300 serbë, shumica civilë, u transportuan me kamion nga Kosova drejt qytetit shqiptar të Burrelit.


Ku në atë zonë të humbur të Shqipërisë, UÇK-ja i vrau serbët dhe doktorët shqiptarë i morën organet e tyre për t'i shitur"-nënvizohej në libër ndër të tjera, që është kundërshtuar dhe kritikuar nga të gjitha elita politike e trojeve shqiptare dhe të huaj.


Sipas këtyre burimeve, takimi mes Dollapit dhe Martyt ka zgjatur rreth 1 orë e 30 minuta, ku senatori zviceran ka dëgjuar të dhënat që prokuroria shqiptare ka për këtë çështje.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›