Arrestohet në Rinas 26-vjeçari, nuk deklaroi paratë që kishte me vete
Policia e Tiranës vuri në pranga një 26-vjeçar, i cili kishte me vete një sasi valute, të cilën nuk e kishte deklaruar. Nga ana e Policisë Kufitare dhe Migracionit Rinas është bërë e mundur arrestimi në flagrancë i Erion Bojaxhiut, lindur dhe banues në Tiranë.
Sipas burimeve zyrtare, i riu u kap gjatë momenteve të transportimit të shumës prej 200.000 (dyqind mijë) euro, 101.000 (njëqind e një mijë) korona norvegjeze
dhe 20.000 (njëzet mijë) dollarë amerikanë, me qëllim kalimin e tyre dhe shmangien nga kontrolli i autoriteteve shtetërore. Policia Kufitare dhe Migracionit së bashku me DPQ Tiranë u bëjnë thirrje të gjitha subjekteve apo personave privatë për të ndjekur dhe zbatuar rregullat për kalimin e kufirit.