E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qëllon me armë makinën e kunatit, arrestohet


Durrës, Agron Dervishi ka derdhur 29 plumba automatiku mbi makinën e burrit të motrës pas grindjes për motive të dobëta

DURRËS- Pas 29 krismash kallashnikovi të lëshuara me breshëri në mes të fshatit, objekt i të cilave ishte shkatërrimi i një makine, policia e Durrësit ka arrestuar 34 -vjeçarin Agron Dervishi. Prangosja e tij u bë gjashtë orë pas ngjarjes që ndodhi në afërsi të një lokali në Katund Sukth.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 14.00, në fshatin Sukth Katund kur Agron Dervishi, së bashku me nipin e tij, 21- vjeçarin Maringlen Kolgjini, kanë shkuar me makinë tek lokali i burrit të motrës së Agronit, shtetasit Bujar Axhe.

Ata kanë parkuar makinën dhe pasi kanë zbritur, Agron Dervishi ka nisur të qëllojë me kallashnikov në drejtim të lokalit dhe një makine të parkuar aty pranë. Sipas proces verbalit të hartuar nga policia shkencore, Agron Dervishi ka qëlluar në drejtim të lokalit "Bar -Bufe" duke shkaktuar dëmtimin e një autoveture me targa "BB 411 SX", e markës Fiat Punto. Në vendin e ngjarjes janë bllokuar në cilësinë e provës materiale 29 copë gëzhoja si dhe makina e dëmtuar por arma nuk është gjetur. Nga hetimet e para ka rezultuar se ngjarja ka ndodhur për motive të dobëta. Pas arrestimit, Dervishi pohoi se armën e ka hedhur në lumin "Erzen" dhe tashmë policia e ka të pamundur që ta gjejë atë.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›