E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arrestohet nga FBI biznesmeni i HEC-ve në Shqipëri

SHBA- FBI ka paditur një biznesmen amerikan i cili ushtron aktivitetin e tij në Shqipëri, në fushën e ndërtimit të hidrocentraleve. Sic raporton vetë Byroja Federale e Hetimeve, bëhet fjalë për biznesmenin Paul John McMann, pronar i kompanisë Commonwealth Albanian Hydro Ventures, Inc. 52 vjecari nga Westoni, u arrestua në 10 korrik të këtij viti në Qipro ndërsa u ekstradua në SHBA në 4 gusht për tu paraqitur përpara gjykatës pikërisht sot, ku dhe iu bë e ditur padia kundër tij.

MekMann ishte në kërkim që në nëntor të vitit të kaluar, i paditur për tre akuza, për mashtrim me dokumentat dhe fondet bankare. Sipas padisë, në tetor dhe nëntor të 2008-eë McMann bleu disa dokumente të rreme bankare përfshirë këtu edhe vërtetimet në Bankën e Amerikës dhe Vakovia Bank, për të treguar se ai dhe kompania e tij “Commonwealth Albanian Hydro Ventures Inc” kishin llogari në këto banka me shuma të mëdha parash.

McMann akuzohet se ka përdorur këto dhe dokumenta të tjerë false si pjesë e skemës së tij mashtruese për të përfituar para nga individë të ndryshëm në Boston. Në mënyrë specifike, padia thotë se McMann përdori dokumenta të rreme bankare për të siguruar të paktën 450 mijë dollarë në kredi si dhe për të bindur një kreditor të cilit ai i detyrohej mbi 1,6 milion dollarë për të evituar kështu sekuestrimin e disa pronave të tij.

Sipas FBI-së, nëse shpallet fajtor McMann rrezikon të dënohet 20 vite burg dhe më pas tre vjet liri e mbikqyrur si dhe një gjobë që shkon deri në 250.000$, ose dyfishin e shumës të humbjes së shkaktuar nga mashtrimi i tij. FBI bën të ditur se kushdo që beson se ka rënë pre e mashtrimeve të McMann mund të kontaktojë Zyrën e Prokurorit të Shteteve të Bashkuara.
(m.a/NEWS24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›