E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arrestohet një 33 vjeçar, plagosi me thikë dy vëllezër

Nën akuzën e "plagosjes" së dy vëllezërve nga Tirana, blutë e kryeqytetit arrestuan dje shtetasin Jetnis Dollapi. Sipas burimeve zyrtare të policisë në kryeqytet, 33 vjeçari Dollapi akuzohet se për motive të dobëta, pas një konflikti me vëllezërit Euglend dhe Julindo Meço, ka qëlluar me thikë këta të fundit, duke vënë në rrezik jetën e tyre. Ndërsa ndaj 33 vjeçarit Dollapi rëndon akuza e "plagosjes së rëndë me dashje", vëllezërit Meço aktualisht ndodhen në Spitalin Ushtarak të Tiranës jashtë rrezikut për jetën. Ndërkohë, strukturat e Hetimit të Krimit në Policinë e kryeqytetit po punojnë për arrestimin e shtetasve F.S dhe B.F, të akuzuar për plagosjen e një 31 vjeçari nga Tirana, i cili aktualisht ndodhet në Spitalin e Tiranës, jashtë rrezikut për jetën. Sipas burimeve të Policisë, shtetasit F.S dhe B.F, të dënuar më parë për trafik të lëndëve narkotike, akuzohen se dy ditë më parë, në afërsi të Rrugës së Kavajës, për motive të dobëta, kanë qëlluar me armë zjarri shtetasin Xhemal Biçaku, e më pas janë larguar nga vendi i ngjarjes. Për veprën penale të "vjedhjes me në të mashtrimit", specialistët e Seksionit Kundër Krimit Ekonomik, arrestuan të enjten 27 vjeçarin Ardian Vila, i akuzuar për përvetësimin e një shume të konsiderueshme lekësh katër biznesmenëve në kryeqytet. Ndërsa për veprën penale të "vjedhjes", policia e kryeqytetit arrestoi dje 20 vjeçarin Sabah Kovaçi, i dënuar në korrik të këtij viti me 9 muaj heqje lirie për "vjedhje".

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›