TIA, ndihmë ligjore falas për qytetarët e Durrësit

Transparence International Albania (TIA) ka nisur sot në Durrës realizimin e një projekti kombëtar, të mbështetur nga USAID-i, përmes të cilit fton qytetarët shqiptarë të denoncojnë aktet korruptive në organet e drejtësisë si dhe ofron ndihmë ligjore falas për ta. "Sot në mesditë në hollin e godinës së Gjykatës së Rrethit është vendosur një kuti ankesash si dhe formularët e gatshëm, të cilat mundësojnë përmirësimin e monitorimit të gjyqësorit", tha gjatë një prononcimi për mediat përfaqësuesi i TIA, Endrit Shabani. "Për të njejtin qëllim qytetarët kanë në dispozicion edhe një numër telefoni pa pagesë", tha Shabani, i cili shtoi se “kjo është një nismë kombëtare që synon denoncimin nga ana e qytetarëve të praktikave burokratike në sistemin e drejtësisë". Sipas Shabanit, ankesat do të shqyrtohen nga një bord specialistësh, që do të japë edhe rekomandimet përkatëse për gjykatat. "Projekti ofron ndihmë ligjore falas për qytetarët dhe nxit ndërgjegjësimin dhe pjesëmarrjen e tyre në strategjinë e transparencës së gjyqësorit", siguroi ai. Ndërkohë, kryetari i gjykatës së shkallës së parë në Durrës, Ervin Metalla, vlerësoi ndërmarrjen e një nisme të tillë nga TIA dhe siguroi të gjithë qytetarët se çdo ankesë ose denoncim për korrupsion do të shqyrtohet me seriozitetin më të madh.
...