REPORTAZH/ Durrës, mes poetëve, në pikëtakimet e fjalës njerëzore
"Në Muzeun Etnografik të Durrësit, ku për tre ditë radhazi “mjeshtrat e fjalës njerëzore” shkëmbyen qindra mesazhe poetike, një student i pasionuar nga Lezha, Naimi, mori sot këtë përgjigje zhgënjyese. “Kisha dëshirë të dëgjoja nga afër atë çka pashë në ekranin e televizorit; poetin portugez përshëmbull dhe interpretimin e tij", shton më pas ai. Ka të drejtë Naimi. Americo Rodriguez, që ka ardhur nga skaji i gadishullit Iberik, është poet i një lloji të veçantë. Ai kumbon tinguj fryme e psherëtime që, siç thotë në një intervistë tha se “kanë ardhur më parë se vetë fjala”. Që nga dita e hënë, së bashku me poetë e krijues nga 18 vende të botës, Rodriguez është pjesë e Festivalit të poezisë Poeteka. Amfiteatri antik dhe muzeu arkeologjik, banesa tradicionale e muzeut etnografik dhe torra veneziane, kanë qenë pikëtakimet poetike, ku gjuhët e botës janë “thërmuar” para emocioneve që ngjall muza poetike. Mbrëmjen e kaluar, gjatë interpretimit të poezisë “Ajri”, 48-vjeçari nga Portugalia solli te dëgjuesit elementë të këngëve të hershme sa vetë bota. “Kam studiuar me kujdes trashëgiminë kulturore të vendit tim dhe kryesisht këngën tipike portugeze “Fado". Në Garda, qytetin e vogël ku banoj, ka një trupë teatrale, ku poezia eksperimentale zë një vend të veçantë", tha Rodriguez. Americo Rodriguez ka ardhur për herë të parë në Shqipëri. “Më parë dija vetëm që vendi juaj kishte kaluar disa dhjetëvjeçarë të vështirë nën diktaturë. Njihja edhe shkrimtarin tuaj të madh, Kadarenë, shton ai, ndërsa duket mjaft i kënaqur që ndodhet mes kolegëve shqiptarë dhe të huaj. "Vendasit janë njerëz mjaft të kulturuar e të pasionuar me gjuhët e huaja", shprehet Americo. Poetin Anton Papleka e njihja përmes përkthimeve të poetit kombëtar portugez të shekullit të 16-të, Lus de Camoes, apo atyre të Fernando Pesoas, thotë poeti, që është befasuar edhe nga Durrësi. Pallatet e reja shumëkatëshe dhe banesat tradicionale krijojnë një lëvizje joharmonike, që gjithsesi më pëlqen, shton ai. Më pas ai përqëndrohet në interpretimin e aktores Inida Gjata, e cila përcjell emocionet poetike të autores Jaumana Hadad nga Libani. 39-vjeçarja nga Bejruti, poete e shkrimtare, gazetare dhe skenariste, njohëse dhe përkthyese nga shtatë gjuhë të botës, nuk ka mundur të vijë në ditët e Poetekës, por “ajo është e pranishme përmes poezisë së saj”, dëgjohet në anglisht zëri i moderatores Entela Kasi. Në sfondin e objekteve antike të Muzeut Arkeologjik të Durrësit tingujt e violinës shoqëruese të Nevila Kalasë i hapin rrugë vargjeve që vijnë nga bota arabe. “Nuk e kuptoj gjuhën shqipe, por më bën përshtypje forca e interpretimit të aktores shqiptare", thotë me zë të ulët Blanca Andreu, poete nga Spanja. “Inida ose Zhaku, siç e njeh publiku shqiptar, shkruan edhe poezi dhe një nga poemat e saj është botuar në numrin e radhës së revistës “Poeteka”, i thotë në spanjisht përkthyesi Gjergj Vlashi, një nga ndjekësit më të “thekur” të veprimtarive të shumta që janë zhvilluar në ditët e para të edicionit të pestë të Festivalit ndërkombëtar të poezisë. Përkthyesi nga Durrësi dhe poetesha nga Spanja janë njohur më parë në Corunja, qytetin në veri të Spanjës, ku punon si violinist Florian Vlashi, djali më i vogël i krijuesit 81-vjeçar. Ata diskutojnë mbi risitë e poezisë moderne dhe të ardhmen e saj. Më tej poetët Aleksandër Çipa dhe Demostenes Agrafiotis flasin për format poetike, nga jehona e polifonisë labe deri te vizatimet poetike. Në hollin e muzeut statujat e gurta duket sikur këmbejnë po ashtu mesazhe poetike.
...