Shteti në panik nga zhvlerësimi i lekutNga Tema Bode korrigjon kryeministrin Berisha, i cili zbuloi panikun e qeverisë për të ardhmen e lekut Monedha shqiptare, leku, ka hyrë në ditët e saj më të vështira, pasi humbi dy pikë të plota n
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Shteti në panik nga zhvlerësimi i lekutNga TemaBode korrigjon kryeministrin Berisha, i cili zbuloi panikun e qeverisë për të ardhmen e lekut
Monedha shqiptare, leku, ka hyrë në ditët e saj më të vështira, pasi humbi dy pikë të plota ndaj euros, gjë që nuk ka ndodhur prej më shumë se një dekade. Një euro dje është shitur me 138,9 lekë dhe është blerë me 137,6 lekë. Rënia e peshës së lekut ka nisur që në janar të këtij viti, por ajo megjithatë asnjëherë nuk mori përmasa të tilla, sa në një ditë të vetme të ndodhte një krisje kaq e madhe. Qeveria shqiptare, e vënë në panik nga ky zhvillim mjaft i rrezikshëm në ekonomi, nëpërmjet ministrit të Financave, Ridvan Bode, bëri thirrje dje që të ruhet besimi i fortë te leku vendas, pasi ajo është monedhë që ka garantuar stabilitet dhe ka lejuar që vendi të ecë në korniza të sigurta, me tregues të mirë ekonomikë. Shqipëria, tha Ministri i Financave, do të adoptojë monedhën euro shumë vite më vonë, kur të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian. Në një mënyrë të tërthortë ministri i Financave fajësoi kryeministrin për deklaratat e tij se, euro është monedhë e fortë që bën presion dhe se Shqipëria do të nisë negociatat për ta adoptuar si monedhë kombëtare. Ministri i Financave tha se keqkuptimi i deklaratave të kryeministrit ka rritur mosbesimin te monedha vendase, gjë që ka çuar në zhvlerësimin e shpejtë të lekut. Arsyet bazë të zhvlerësimit kaq të rrezikshëm të lekut janë: rritja e vlerës së monedhës së eurozonës në të gjitha bursat ndërkombëtare, ecuri kjo që është reflektuar edhe në tregun tonë të këmbimit, si monedhë e konvertueshme (në tregjet financiare botërore euro këmbehet me 1 dollar e 47 cent); niveli i lartë i deficitit buxhetor dhe mungesa e valutës në treg; rënia e ndjeshme e të ardhurave nga emigrantët.
Nga zhvlerësimi i lekut do të goditen të gjithë konsumatorët dhe rrjedhimisht edhe ekonomia. Kjo, pasi do të shtrenjtohen importet, çka do të thotë rritje e çmimeve në tregjet me pakicë. Gjithashtu, qytetarët që kanë marrë kredi në euro dhe të ardhurat i kanë në lekë, do të paguajnë më shumë për këstet mujore, pasi interesave do t’u shtohet kostoja e transaksionit. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, rreth 75% e kredive që janë dhënë nga bankat janë në valutë dhe kryesisht në euro.
Fullani: Leku, monedhë e sigurt, të mos ushtrohet presion ndaj tij
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, iu ka bërë apel subjekteve dhe institucioneve që veprojnë në treg që të mos ushtrojnë presione në kursin e këmbimit dhe ta lënë lekun të ndikohet vetëm nga kërkesë-oferta e tregut. Ai tha se leku është i sigurt dhe i qëndrueshëm. Këtë gjë Guvernatori e kërkoi në përpjekje për të fashitur rënien e thekshme dje të lekut, rënie që ka nisur që prej janarit dhe që ka kaluar në rreth 10%. Në të vërtetë, Banka e Shqipërisë është institucioni bazë përgjegjës për politikën monetare dhe për zhvlerësimin e lekut, ndonëse ajo nuk ka ndërhyrë deri më tani, por veç ka përsëritur zërat e shqetësuar për ecurinë e monedhës vendase. “Ta lëmë kursin e këmbimit të qetë. Çdo lëvizje e qetë e kursit të këmbimit do të jetë pa diskutim me mjaft interes për ekonominë shqiptare dhe në favor. Të gjitha reagimet afatshkurtra, siç është demonstruar disa herë dhe më së fundi ditët e para të javës, kanë një kosto financiare individuale për ata që e ndërmarrin dhe njëkohësisht një kosto financiare për ekonominë shqiptare. I ftoj të gjithë agjentët ekonomikë të gjykojnë me ftohtësi mbi përfitimet e monedhës kombëtare si instrumenti më i mirë afatgjatë për ruajtjen e kursimeve të tyre dhe si zbutësi më i madh i luhatjes së vlerës së pasurisë. Leku për Shqipërinë ka qenë, është dhe do të mbetet një monedhë e suksesshme. Kjo monedhë shërben si ankorë për të gjitha iniciativat tona evropiane. Ne aty kemi lidhur suksesin afatgjatë të ekonomisë. Në 17 vitet e fundit leku ka ditur t’i bëjë ballë presioneve inflacioniste dhe presioneve të tregut të huaj. Leku duhet lënë i qetë. Ai do të na shërbejë deri në portat evropiane. Ndërkohë, në tregun valutor monedha evropiane, euro, vazhdon të forcohet kundrejt monedhës shqiptare, lekut, edhe në krahasim me një ditë më parë, kur kishte arritur kuotën më të lartë të vitit në këmbimet valutore”, - deklaroi Fullani.
Forcimi i euros ndaj monedhave të tjera, më i ngadalshëm sesa ndaj lekut
Qeveria shqiptare dhe Banka e Shqipërisë kanë një shpjegim të cunguar mbi arsyet pse monedha kombëtare, leku, ka rënë kaq ndjeshëm, me rreth 10% që prej janarit, duke vënë në rrezik çmimet në treg, shtimin e kredive të këqija, rënien e konsumit etj., gjë që do të çonte në një situatë të vështirë për tërë ekonominë. Qeveria thotë se leku nuk është zhvlerësuar për shkaqe të ecurisë së brendshme ekonomike, por për shkak se euro është forcuar ndaj të gjitha monedhave kryesore botërore. Kjo është pjesërisht e vërtetë. Në janar, 1 dollar ishte 0,755 euro, në maj ishte 0,7338 euro dhe aktualisht është 0,687 euro. Siç shihet nga të dhënat, euro është forcuar ndaj dollarit që prej janarit, por jo në përpjesëtim me atë që ka ndodhur ndaj lekut tonë. Leku është zhvlerësuar me 10%, ndërsa dollari është zhvlerësuar me më pak. E njëjta gjë ka ndodhur edhe në kursin e këmbimit të euros me paundin britanik. Në janar një euro ishte 0,693 paund, në maj 0,649 paund dhe në shtator një euro është 0,609 paund. Edhe ndaj paundit ka forcim të euros, por jo në përpjesëtim të njëjtë me atë që ka ndodhur me lekun. Më e keqja është se leku gjatë shtatorit ka një rënie shumë të rëndë ndaj euros. Kjo gjë nuk vihet re në shkëmbimet e euros me dollarin apo me paundin. Leku tashëm ka hyrë në një rrugëtim të vështirë që është bërë shumë më i thepisur se ka qenë gjatë muajve të mëparshëm. Ecuria e zhvlerësimit të monedhave të tjera ndaj euros përafërsisht ruan rënien e mëparshme. Qeveria shqiptare po përpiqet të mos e shohë në këtë mënyrë, por vetëm si pasojë e forcimit të euros.
Berisha: Do të heqim lekun dhe do të adoptojmë euron
Nga Adam Tanner&Benet Koleka, Reuters
17.09.2009
Shqipëria duhet të adoptojë shpejt euron për të mbështetur ekonominë e saj dhe të heqë monedhën e saj, lekun, i tha të enjten kryeministri Berisha agjencisë Reuters. Në një intervistë, pasi foli në një konferencë të ekspertëve të bankave qendrore dhe financave rajonale, Berisha tha se Shqipëria duhet të ndjekë fqinjët e saj, që nuk janë anëtarë të Bashkimit Evropian, si Mali i Zi dhe Kosova, të cilat kanë adoptuar euron.
“Unë mendoj se është jetësore që negociatat me Bankën Qendrore Evropiane të nisin”, - tha ai para se qeveria të nisë një mandat të dytë katërvjeçar, pas betimit që ajo kreu në Presidencë gjatë mëngjesit të së enjtes. “Ne jemi një vend i vogël. Është shumë e vështirë t’i rezistosh euros. Është një presion shumë i madh dhe influencon jashtëzakonisht shumë ekonominë.”
“Kosova ka për monedhë ta saj euron, Mali i Zi po ashtu, Greqia, edhe ajo”, - tha Berisha për partnerët fqinjë tregtarë, të cilët përdorin euron. Që të dyja vendet, Mali i Zi, që aplikoi për anëtar i BE në fillim të këtij viti dhe Kosova, që ka perspektivë shumë të gjatë para se të shkojë në BE, për shkak se disa vende nuk e kanë njohur ende, kanë adoptuar në mënyrë të njëanshme euron. Italia, partneri më i madh tregtar i vendit, që shtrihet përgjatë brigjeve të Adriatikut, kohë më parë hoqi lirën për euron. Por analistët thonë madje se dhe Bullgaria, e cila synon të adoptojë euron në vitin 2013, ka shumë gjasa të hasë rezistencë nga vendet në recesion të Evropës Perëndimore, ku është bërë e zakonshme që të mos lejohet përdorimi i euros në vende të tjera që duan t’i bashkëngjiten asaj në kohë krize. Kryeministri refuzoi të përgjigjet se sa kohë do t’i duhet Shqipërisë për të adoptuar euron dhe të shfarosë lekun. “Do të jetë çështje negociatash”, - tha ai. “Disa negociata, disa rregullime janë të domosdoshme, e tërë ekonomia po euroizohet. Duke adoptuar euron do të jetë më mirë, më shpejt. Është një proces që nuk varet nga unë”, - tha kryeministri. Berisha tha se më e keqja e krizës ekonomike ka kaluar për Shqipërinë dhe se ai priste që rritja ekonomike të ishte nga 4 në 6% për këtë vit dhe vitin që vjen ajo do të shkojë 10%. Ai tha se Shqipëria nuk ka nevojë për kredi nga FMN dhe se ekonomia e Shqipërisë ishte më e fortë se sa ishte parashikuar. “Ekonomia reale ka treguar se është e fuqishme. Ishte mbivlerësuar pesha e sektorit të financës në ekonomi. Shqipëria nuk ra në recesion, pavarësisht krizës”, - tha kryeministri.