E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tregtarët e skrapit grabisin tubot metalike për vaditje

Gjirokastër-Pas vjedhjes së kapakëve të pusetave metalike, objekteve prej bronzi në varrezat publike në qendrat e banuara të Qarkut të Gjirokastër, tregtarët e skrapit duket se nuk po “kursejnë” as tubacionet metalike që përdoren për vaditjen e tokave bujqësore. Së fundi, efektivat e policisë në rrethin e Përmetit kanë ndaluar tre persona, pasi dyshohet se në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë grabitur tubacionet metalike të rrjetit të vaditjes së tokave bujqësore për t’i tregtuar më pas për skrap. Sipas burimeve zyrtare në Drejtorinë e Policisë në Gjirokastër, specialistët e Seksionit për Parandalimin dhe Hetimin e Krimit, në Komisariatin e Policisë Përmet, kanë bërë ndalimin e 37-vjeçarit Arben Mino, Gentian Çepanit, 20 vjeç dhe Çelnik Minos, 31 vjeç, të tre lindur dhe banues në Panarit, Përmet, pasi dyshohet se kanë konsumuar veprën penale të “vjedhjes kryer në bashkëpunim”. Të tre të ndaluarit në bashkëpunim me njëri - tjetrin kanë shkatërruar rrjetin vaditës të tokave bujqësore në fshatin Panarit, duke prerë tubot metalike për t’i shitur për skrap, në pikën e grumbullimit të skrapit në qytetin e Këlcyrës. Sipas grupit hetimor, në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar 10 metra linear tubo metalike të rrjetit vaditës, dy gjeneratorë elektrikë që përdoreshin për të prodhuar energji për të prerë me troko tubot metalike, dy troko, dy leva hekuri si dhe 10 metra kabllo elektrike. B. Sh

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›