Arrestohet një person për marrjen e 500 eurove ryshfet

Policia e Kosovës ka arrestuar personin e dyshuar S. S., lidhur me dyshimin për marrje të ryshfetit. I dyshuari, i lindur më 1955, besohet se ka kryer veprën penale ‘marrje e ryshfetit’. Sipas njoftimit të policisë, personi i dyshuar është arrestuar të premten rreth orës 12:00 pasi është zënë në flagrancë duke marrë ryshfet në vlerë prej 500 eurove, për t’i mundësuar një kandidati dhënien e provimit për patentë shofer.
Policia njofton se hetimet janë kryer në bashkëpunim me prokurorin e shtetit, duke vepruar në bazë të urdhëresës se gjykatës ku është aplikuar masa e fshehtë: ‘simulim i veprës së korrupsionit’.
Me autorizim të prokurorit të Prokurorisë Themelore në Gjilan, personi i dyshuar është dërguar në mbajtje për 48 orë./Indeksonline/