Arrestohet për armët e 1997-ës
Një 58-vjeçar nga Tropoja është ndaluar dje nga policia lokale me akuzën e mbajtjes së armëve dhe municioneve pa leje. Burime zyrtare të organit blu bënë të ditur se Imer Gjuriçi, banor i lagjes "Gjuriç" të qytetit të Bajram Currit, është vënë në prangat e policisë, pasi në kontrollin në banesën e të akuzuarit u gjetën një automatik kallashnikov si dhe rreth 300 fishekë të futur në 11 karikatorë. Burime nga Policia e Tropojës bënë të ditur se arma dhe municioni iu gjetën në katin dytë të banesës, të fshehura mes muresh, ndërsa autori u arrestua në flagrancë. Materialet u kanë kaluar organeve kompetente për hetime të mëtejshme. Armët pa leje janë një problem i madh në rajonin e Qarkut të Kukësit, pasi gjatë vitit të trazuar 1997 u armatos një pjesë e madhe e popullsisë.