Kapet pa patentë, dënohet me burg
Drejtonte makinën pa pasur patentë, dënohet me gjobë dhe burg. Një 21-vjeçar nga Divjaka e Lushnjës është vënë në pranga orët e vona të mbrëmjes të së martës. Agjentët e seksionit të personave të shpallur në kërkim kanë siguruar informacion për vendndodhjen e Saimir Zakës, lindur dhe banues në qytezën e Divjakës, i cili kërkohej prej afro një viti. Sipas burimeve zyrtare të Komisariatit të Lushnjës, i riu është arrestuar në zonën e plazhit ndërsa qëndronte në shoqërinë e disa të njohurve në çadrat e ngritura nga pushuesit. Zaka është arrestuar nën akuzën e "drejtimit të automjetit pa dëshmie aftësie", për të cilën ishte shpallur edhe në kërkim. Nën këtë akuzë ndaj Zakës ishte zhvilluar edhe proces hetimi dhe gjykimi nga Gjykata e Lushnjës, e cila e kishte dënuar 21-vjeçarin me një gjobë prej 160 mijë lekësh, që ishte konvertuar në 32 ditë burg.