Arrestohet për drogë Arben Laze
Prokuroria: Hetimi ka nisur pesë muaj më parë dhe trafiku arrinte deri në Itali e Greqi
TIRANË- Arrestohet për trafik droge presidenti i shumëpërfolur i ekipit të futbollit të Elbasanit, Arben Laze. Një operacion i nisur pesë muaj më parë nga Prokuroria për Krimet e Rënda është finalizuar pasditen e djeshme me arrestimin e bujshëm të një prej njerëzve më të njohur të qytetit të Elbasanit por edhe botës së futbollit në vend. Laze është “tradhtuar” nga një pako një kilogramshe heroinë që ia kishte nisur një bashkëpunëtorit të tij në Fier por hetimi ka nxjerrë në pah edhe një trafik shumë më të madh. Krimet e rënda pohuan dje se ai është i dyshuar për trafik të droge mes Maqedonisë-Shqipërisë-Greqisë e Italisë. Burimet zyrtare pranë prokurorisë së Krimeve të Rënda konfirmuan se prej pesë muajve po hetonin presidentin Laze pasi dyshoje se merrej me “trafik të lëndëve narkotike” të llojit heroinë. Operacioni për arrestimin e presidenti të klubit sportiv “Elbasani”, Arben Laze, u krye pasditen e djeshme rreth orës 18:30 minuta. Në atë kohë Laze po kthehej nga Maqedonia, rrugë të cilën mendohej se e ka bërë shumë shpesh gjatë këtij viti.
Sipas burimeve të prokurorisë, Laze dhe miqtë e tij mbaheshin prej kohësh në përgjim. Dy ditë më parë, prokuroria ka zbuluar një bisedë “interesante” mes tij dhe një personi tjetër në Fier për dërgimin e një pakoje. Hetimi i mëtejshëm ka treguar se bëhej fjalë për sasi heroine, e cila duhet të dërgohej në qytetin e Fierit. Vetë Laze ndodhej në Maqedoni dhe këtë detyrë ia ka ngarkuar të vëllait, Fatjon Laze. Ky i fundit është nisur nga Elbasani për në drejtim të Fierit, ku duhej të takohej me pritësin e lëndës narkotike. Në orët e vona të së martës, Fatjon Laze është takuar me shtetasin Shkëlqim Hyzmo nga Lushnja dhe i ka dorëzuar pakon e mallit. Policia ishte në pritje të këtij çasti dhe menjëherë është hedhur në veprim duke arrestuar Hyzmon. Arrestimi i tij është kryer rreth orës 01.00 pas mesnatës në vendin e quajtur Kthesa e Divjakës, pranë komunës Çermë. Në momentin e arrestimit dhe gjatë kontrollit të kryer në automjetin e tij të tipit “Benz”,me targë “TR 5260 G” iu gjetën dhe sekuestruan 1 kilogram e 43 gram lëndë narkotike e llojit heroinë. Hyzmo është marrë në pyetje gjatë të gjithë natës dhe ka treguar të gjitha detajet e tjera të shkëmbimit të lëndës narkotike. Pas marrjes në pyetje dhe këqyrjes së tabulateve telefonike, është bërë i mundur edhe zbulimi i të gjithë pjesëtarëve të këtij rrjeti që transportonte drogën nga Maqedonia-Shqipëri-Greqi ose Itali në rrugë të ndryshme. Pas zbulimit të bashkëpunëtorëve të tjerë të Hyzmos, policia ka organizuar operacionin “Mesfushori” në tre qytete njëkohësisht duke bërë të mundur arrestimin e Arben Priftit, Arben Lazes dhe Fatjon Lazes.
Sipas burimeve, presidenti Laze është arrestuar rrugës për t’u kthyer në Elbasan nga pika kufitare e Maqedonisë ku kishte qenë këto dy ditët e fundit. Ndërkohë, arrestimi i shtetasit Fatjon Laze është kryer në qytetin e Elbasanit dhe shtetasi Arben Prifti u arrestua në qytetin e tij në Fier. Sipas burimeve nga prokuroria, mësohet se porositësi i drogës prej një kg heroinë ka qenë shtetasi Arben Prifti, i cili i ka kërkuar presidentit të sport klub “Elbasani” Arben Laze që t’ia siguronte. Laze pas sigurimit të kësaj sasie droge, e ka urdhëruar vëllanë e tij Fatjon Laze t’i dërgonte mallin porositësit Prifti. Fatjon Laze me drogën e ngarkuar në makinë është nisur për në Lushnje ku do t’i dorëzonte drogën porositësit të saj, Prifti i cili kishte nxjerrë për të pritur drogën djalin e tezës së tij, shtetasin Shkëlqim Hyzmo. Sipas akuzës, presidenti Arben Laze njihej prej kohësh si person i dyshuar për “trafik droge” dhe që prej pesë viteve drejton presidencën e sport klub “Elbasanit”. Njihet në qytetin e tij si ndërtues dhe pronar i një bar kafe në këtë qytet por i asnjë biznesi tjetër.
Nga takimi me Platininë, tek arrestimi nga policia
Arben Laze është bërë një ndër personat më të njohur të qytetit të Elbasanit kur ka nisur të financojë ekipin e futbollit të qytetit. Nën drejtimin e tij Elbasani ka pasur arritje të mëdha, kjo edhe në sajë të parave të shumta që janë hedhur për ekipin. Përllogaritjet tregonin për dhjetëra milionë lekë të reja të investuara nga Laze në klubin e Elbasanit. Nga ana tjetër, Laze është vetëm pranuari i një lokali në qytet dhe të ardhurat e tij nuk mund të justifikonin në asnjë mënyrë paratë e investuara në futboll dhe blerjet e ndryshme të lojtarëve të shtrenjtë. Premtimet e shumta të presidentit elbasanas kanë arritur deri në realizimin e një ndeshjeje miqësore me ekipin e Barcelonës, i cili në atë kohë sapo kishte fituar Champions League. Por kjo nuk u arrit asnjë herë. “Kulmi” i karrierës sportive të Arben Lazes ishte takimi me Platininë. Të mësuar me pamjen e Lazes me disa varëse të trasha floriri në qafë, tifozët shqiptarë atë ditë panë diçka ndryshe. Presidenti i Elbasanit u shfaq i veshur serioz dhe për herë të parë pa varëset e florinjta që ishin bërë simboli i tij. Ndërsa dje pasdite Laze u shfaq në fotografitë e personave të arrestuar nga policia, sërish pa varëse në qafë.
Materialet e sekuestruara
1.043 gram heroinë
1 pistoletë
13 aparate telefonikë celularë
4 autovetura, 3 “Benz Merdeces” dhe 1 “Volsvagen Polo”.
TË ARRESTUARIT
Shkëlqim Hyzmo, lindur më 05.11.1965 në Lushnje, me punë shofer.
Arben Prifti, lindur më 19.02.1968, në Fier
Arben Laze, lindur më 13.06.1968 në Elbasan, aktualisht Presidenti i Futboll “Klub Sportiv Elbasan”.
Fatjon Laze, lindur më 11.08.1978 në Shkodër dhe banues në Elbasan