Kodi, përcaktohet data e zgjedhjeve
Tiranë-Janë miratuar propozimet e Presidentit për ligjin e Kodit Zgjedhor. Sapo ka përfunduar mbledhja e Komisionit të Reformës Zgjedhore i cili vendosi miratimin e dispozitës tranzitore për datën e zgjedhjeve parlamentare 2009. Deputeti i PS-së dhe anetar i këtij komisioni, Fatmir Xhafa u shpreh për mediat se “komisioni mori vendim për një dispozitë ligjore kalimtare që përcakton afatet për mbajtjen e zgjedhjeve”. Ndërsa ka shtuar se ky komision nuk mori për disktumin amendamentet e paraqitura nga LSI dhe PDK.
Data e zgjedhjeve parashikohet të jetë 21 ose 28 qershori i vitit 2009-të. Kjo sipas dispozitës së miratuar sot. Gjithsesi tagrin per ta percaktuar daten e ka Presidenti i Republikës.
Presidenti, Bamir Topi vendosi me 2 dhjetor ta kthejë për rishqyrtim në Kuvend ligjin “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”, për shkak se ligji kishte pasaktësi në përcaktimin kohor të datës së zgjedhjeve. “Arsyeja, për të cilën nuk e dekretova këtë ligj, lidhet me dispozitën e nenit 9, pika 2 e tij, sipas të cilit Presidenti nxjerr dekretin e datës së zgjedhjeve për Kuvendin jo më vonë se 9 muaj para mbarimit të mandatit të Kuvendit. Ky rregullim bie ndesh me nenin 8 të ligjit i cili ka parashikuar që zgjedhjet e përgjithshme për Kuvendin të zhvillohen njëherësh në të gjithë vendin brenda periudhës 15 Mars-30 Qershor ose nga 15 shtatori-30 nëntor”. Kështu e ka komentuar Topi, mosdekretimin e Kodit.
Ndërkohë Parlamenti vendosi ringritjen e Komisionit të Reformës për reflektim të defekteve ligjore të parashtruara nga Presidenti. Kjo bëri që të rindizet shpresa për Lëvizjen për Integrim, e cila pretendoi marrjen parasysh te kërkesave te tyre për komisionerë në qendra e votimit. Madje Ilir Meta kërkoi takim me kreun e PS-së, Edi Rama për këtë çështje.
Por siç shihet sot, deputetët e djathtë dhe të majtë të Komisionit të Refromës Zgjedhore kanë vendosur të mos marrin parasysh kërkesat e të vegjëlve për përfaqësim në komisione zgjedhore. Ata kanë miratuar vetëm ndryshimet që kërkoi Topi. Ligji pritet të shkojë në Parlamnet dhe më tej të marrë dekretin e Presidnetit. Njekohesisht kreu i shtetit do të vendosë edhe datën e mbajtjes së zgjedhjeve në Shqipëri.