E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arrestohet "polici", mashtroi për vizat në Amerikë

Autori i Lajmit: red.
Një certifikatë personale dhe 35 mijë lekë i mjaftonin një 22-vjeçari nga Tirana që të niste persona drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Pjesa tjetër e dokumenteve, madje, dhe hyrja në ambasadë për të marrë vizën sigurohej nga ai. Klientëve të tij u është prezantuar si punonjës policie dhe, pasi merrte paratë dhe dokumentet zhdukej. Këtë skemë ka ndjekur për mashtrimin e disa personave 22-vjeçari Marsel Dhroso, derisa është vënë në pranga nga policia.
"Polici", i cili akuzohet se ka mashtruar qytetarët në Tiranë duke u premtuar nxjerrjen e vizave amerikane si dhe duke u prezantuar si punonjës policie, u arrestua mbrëmë në afërsi të 21 Dhjetorit në Tiranë. Burime zyrtare të policisë së kryeqytetit bënë të ditur dje se është vënë në pranga 22-vjeçari Marsel Dhroso, lindur dhe banues në Pogradec. Arrestimi i tij është kryer, pasi i dyshuari është kapur në afërsi të kryqëzimit të 21 Dhjetorit. Sipas policisë, në momentin e ndalimit, 22-vjeçari u është prezantuar shërbimeve të policisë sikur ishte punonjës policie. Pas hetimeve të deritanishme, policia bëri të ditur se i arrestuari dyshohet se ka mashtruar një shtetas nga Tirana, duke i vjedhur një shumë prej 35.000 lekësh si dhe dy pasaporta, për të nxjerrë viza për në Amerikë. Ndaj të ndaluarit, sipas policisë, janë ngritur akuzat e "mashtrimit" dhe "përvetësimit të titullit apo detyrës shtetërore.
Pas arrestimit të 22-vjeçarit, policia ka ushtruar një kontroll në banesën e tij. Burimet zyrtare nga Policia e Tiranës bënë të ditur se kanë sekuestruar, në cilësinë e provës materiale, pasaporta për jashtë shtetit, fletë të printuara nga faqja e Interpolit, vërtetime gjykate dhe prokurorie, fotokopje pasaportash dhe dëshmish për drejtim automjeti etj. Burimet nga policia bënë të ditur se materialet e përpiluara në ngarkim të tij do t i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprat penale të "Mashtrimit" dhe "Përvetësim i titullit apo detyrës shtetërore".
Ky lajm është publikuar: 25/09/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›