E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dosjet penale në "sitën" e KLD-së

Autori i Lajmit: Ornela Manjani
Zvarritja e proceseve gjyqësore dhe ankesat e qytetarëve për vendime të padrejta nga gjykatat do të verifikohen gjatë një kontrolli të imtë në të gjitha dosjet penale. Një grup pune nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë dhe një tjetër nga Ministria e Drejtësisë do të nisin inspektimin në gjithë gjykatat e vendit gjatë këtyre ditëve. Në Gjykatën e Tiranës së shpejti pritet të mbërrijnë inspektorët e KLD-së, të cilët do të kontrollojnë gjithë rrugën procedurale të dosjeve në shqyrtim. Ndërsa në dosjet ku është marrë një vendim, përveç ecurisë së procesit, mënyrës së administrimit të fakteve dhe provave, në fashikullin e gjykimit do të inspektohet edhe argumentimi i vendimit.
Inspektimi
Përveç dosjeve penale, në Gjykatën e Tiranës në fokus të inspektimeve do të jetë edhe Gjykata e Shkallës së Parë të Krimeve të Rënda. Shkak për inspektimin në këtë gjykatë janë bërë shtyrjet e tejzgjatura në proceseve të rëndësishme gjyqësore. Dështimi i nisjes së shqyrtimit gjyqësor për dosje ku të arrestuarit akuzohen për krime të rënda dhe përbëjnë rrezikshmëri të lartë është kthyer ndër problemet më shqetësuese për KLD. Të arrestuarit rrezikojnë lirimin për shkak të përfundimit të afateve të paraburgimit. Edhe pse në pothuajse të gjitha rastet shkak për shtyrjen e seancave është mungesa e avokatëve, KLD nuk ka propozuar asnjë masë ndëshkimore për mbrojtësit ligjorë të të dyshuarve për krime të rënda. Në dosjet penale që po gjykohen në këtë gjykatë ka një numër të madh të dyshuarish dhe mjafton mungesa e një prej avokatëve për të mbajtur peng nisjen e shqyrtimit. Një tjetër "ngërç" nga i cili përfitojnë të arrestuarit është fakti se nuk pranojnë avokat të caktuar kryesisht nga gjykata duke mos lejuar në asnjë mënyrë nisjen e procesit.
Masat
Transferim apo pezullim, madje, deri në ndjekje penale janë masat që rrezikojnë gjyqtarët që do të kapen me shkelje gjatë inspektimve që pritet të nisin së shpejti në gjykata. Dy grupet e punës do të pasqyrojnë shkeljet, në rast se konstatojnë, dhe më pas do të njohin KLD-në. Do të jetë kjo e fundit që do të shqyrtojë shkeljet dhe më pas do të marrë masa për shkelësit e ligjit.
Vendimet për transferim e pezullim miratohen me shumicë votash në Këshillin e Lartë të Drejtësisë, ndërkohë që edhe gjyqtarëve që gjenden me shkelje do t u rezervohet e drejta për të kundërshtuar e argumentuar të metat e konstatuara nga grupi i ekspertëve.

Neshat Fana: "Gjyqet të mos ndërpriten"

Anëtari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Neshat Fana, ka propozuar në mbledhjen e shkuar të Këshillit, zhvillimin e gjyqeve sipas modelit amerikan. Sipas tij, marifetet e avokatëve për të zvarritur proceset gjyqësore duhet të anashkalohen nga gjykata. Sistemi gjyqësor në vendin tonë duhet t i përshtatet atij amerikan, sipas të cilit seancat gjyqësore vijojnë pa ndërprerje. Kështu, një gjyq që nis në mëngjes, duhet të vijojë deri në përfundim të orarit zyrtar të punës në gjykatë dhe, në rast se nuk përfundon, të rinisë mëngjesin e ditës së ardhshme. Kjo mund të jetë e vetmja zgjidhje për t u prerë rrugën lëvizjeve taktike të avokatëve, të cilët zvarrisin pafundësisht procese gjyqësore shumë të rëndësishme. Problemi i zvarritjes së gjyqeve mbetet më i mprehtë në Gjykatën e Krimeve të Rënda, ku dosjet janë dhe me shumë të dyshuar. Mjafotn mungesa e një prej të dyshuarve apo e palës mbrojtëse të tij për të shtyrë gjyqin për javën e ardhshme.
Ky lajm është publikuar: 25/09/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›