E Shtunë, 31 Tetor 2026

Policia, fushatë sensibilizuese kundër aksidenteve

Autori i Lajmit: red.
Policia heq dorë nga gjobat dhe nis sensibilizimin për shkelësit e rregullave të qarkullimit. Efektivët e Rrugores u kanë shpërndarë një fletëpalosje shoferëve ku përveç rregullave që duhet të respektojnë janë të paraqitura dhe masat disiplinore. Drejtues të Policisë së Tiranës, shërbimet e Policisë Rrugore, Patrulla e Përgjithshme u angazhuan duke përcjellë mesazhe dhe fletëpalosje sensibilizuese në Rrugën e Kavajës, në kryqëzimin e Shkollës Teknologjike e shtrirë deri në Unazën e Re. Burime zyrtare nga Policia e Tiranës bënë të ditur dje se kjo fushatë sensibilizuese, do të vazhdojë edhe në të ardhmen, përkrah masave të marra për ndëshkimin e të gjithë kundërvajtësve në fushën e qarkullimit rrugor. Në fletëpalosje, drejtuesve të mjeteve dhe përdoruesve të rrugës u tërhiqet vëmendja lidhur me: shpejtësinë (neni 139) i Kodit Rrugor, Drejtimi i mjetit nën ndikimin e alkoolit (neni 184); Parkimet e gabuara (nenet 155, 156, 157) të Kodit Rrugor, me anë të të cilave Policia e Tiranës u ka kërkuar bashkëpunim për respektimin e dispozitave në fushën e qarkullimit rrugor. Ndërkohë që në rrugët e tjera të Tiranës po ndërmerren masa lidhur me shlyerjen e detyrimeve që rrjedhin nga kundërvajtjet administrative. Kështu, vetëm ditën e djeshme, në Tiranë janë pezulluar 46 leje qarkullimi të mjetit, deri në shlyerjen e masës administrative të vendosur ndaj tyre. Në qarkun e Tiranës, nga shërbimet e Policisë janë konstatuar dhe vendosur këto masa administrative: 1751 masa administrative me vlerë 1.750.530 lekë dhe leje drejtimi të pezulluara 19 raste. Duke marrë shkas nga rritja e numrit të aksidenteve rrugore, Policia e Tiranës u bën thirrje të gjithë përdoruesve të rrugës dhe kërkon mbështjetjen e opinionit publik, në ndërgjegjësimin për të zbatuar me korrektësi normat e sjelljes gjatë drejtimit të mjetit dhe rregullat e legjislacionit rrugor, të përcaktuara në Kodin Rrugor.
Ky lajm është publikuar: 25/09/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›