E Diel, 1 Nëntor 2026

"Unë, përballë Ramës për Bashkinë e Tiranës"

Autori i Lajmit: red.
I gatshëm për të garuar edhe për kryetarin e Bashkisë së Tiranës në mënyrë që të ndal masonin e pasur, Edvin Rama". Kështu ka pohuar lideri historik i socialistëve, Fatos Nano në emisionin Opinion të Blendi Fevziut. Ai ka akuzuar Ramën dhe mbështetësit e tij për kërcënim me jetë ndërsa ka shtuar se Rama dështoi në misionin e tij për të bashkuar të majtën.
Zoti Nano, e ndiqni përditë politikën korente me të njëjtin ritëm?
Kjo është një pyetje e mirë se duhet ndjekur, me sa duket me doza të arsyetuara. Po e ndoqe në çdo labirint apo incident që mbushet politika shqiptare edhe tashmë media, nuk mbahet dot edhe kur i mbyllin dyert, humbet sensin, kohën dhe qetësinë për të arsyetuar mbi trendin e zhvillimit apo objektivat e politikës lokale. E ndjek në njëfarë distance.
A ju lejon që kjo distancë t u krijojë mundësinë të keni një shikim më realist?
Plotësisht mund ta pohoj këtë gjë, sepse ia kam ndjerë lezetin këtij pozicioni jo vetëm me një distancë arsyetuese nga politika e ditës por sidomos hapësirës dhe kohës që më krijon mundësinë të zhvilloj më tej filozofinë time mbi palët, pra një angazhim bipartizan. Por edhe ky varet sepse edhe një pozicion bipartizan është e vështirë të afirmohet madje për shkak të politikës konfliktuale që dominon politikën shpesh kostot shkarkohen mbi institucionet apo mbi përfaqësuesit që jetën e tyre ia kanë kushtuar një ndërtimi të shëndetshëm të politikës, të qeverisjes, të institucioneve.
Të qenit mbi palët nganjëherë të lë jashtë palëve domethënë jashtë politikës!
Edhe ky është një avantazh pa u emëruar arbitër për shkak se të ndjehesh i papërfshirë në rrethin e ngushtë të përplasjes së palëve të jep mundësitë të shikosh dhe prapavijat, dhe zemrën e palëve, të kuptosh se cila është aspirata apo interesi që dominon palët dhe çfarë të përbashkëta kanë midis tyre që shpesh nuk shfaqet nga ballafaqimi i lidershipëve apo nga politika e zëdhënësit.
Meqenëse ky pozicion mbi palët ju lejon që të shihni dhe zemrat e palëve a keni arritur të diagnostikoni zemrën e PS-së aktualisht?
Zemra e socialistëve është aty, është sigurisht e ngushtuar madje ka një ritëm disi të çrregullt, nuk është pulsi i zakonshëm për shkak se trupi i këtij organizmi politik është i infektuar me viruse gjithfarësh. Janë viruse të shoqërisë së vjetër shqiptare, të liderëve.
Është trupi më i ri sot zoti Nano...
Më lejoni të flas seriozisht me ju. Nuk do preferoja të blija mallra vetëm për shkak të etiketës. Natyrisht mosha mesatare është tregues cilësor i vitalitetit edhe të organizatave shoqërore por ajo nuk të imunizon nëse mungon kultivimi i eksperiencës apo institucionet e kontrollit mbi të zgjedhurit dhe përfaqësuesit që të jesh imun. Pra nuk të krijon imunitet ndaj viruseve të shoqërisë së vjetër, ndaj traditës ballkanase në politikën e kësaj zone të botës dhe veçanërisht nga trysnia e madhe e afërsisë së politikës me pushtetit edhe me korrupsionin apo privilegjet e kërkuara asi dhe më pas të gjitha organizimet që nderohen për këto interesa korruptive që nuk burojnë nga një terren meritokratik dhe i konkurrencës së hapur dhe të lirë mbi bazën e aftësive profesionale të cilat organizojnë vetë organizatën politike.
Zoti Nano, nga mënyra se si i shikoni ju zgjedhjet a i ka humbur PS zgjedhjet?
Sigurisht që këtu nuk ka më vend për të bërë lodra fjalësh, këto zgjedhje patën humbës dhe humbi opozita dhe patën dhe atë rezultat që pritej, pra një gjysmë fitore e koalicionit kryesor që arriti në kufijtë e 70 mandateve parlamentare, të pamjaftueshme për të krijuar mazhorancën qeverisëse dhe e ritheksoj siç pritej, të krijimit të një koalicioni më të gjerë qeverisës sesa blloqet tradicionale majtas dhe djathtas dhe u kurorëzua me marrëveshjen Berisha-Meta. Pra opozita ka humbur. Humbësi kryesor i këtyre zgjedhjeve është opozita kryesore, është PS dhe kjo nuk më ngazëllen. Ky nuk është një zhvillim që e dëshironte shumica e shoqërisë, por është koha e analizave.
Kush e ka përgjegjësinë?
Përgjegjësia është hierarkike, është politike, është e lidhur me vijën udhëheqjen dhe organizimin që Rama në krye të fushatës dhe të PS-së prej katër vitesh, i imponoi opozitës, PS-së si dhe ballafaqimit me kundërshtarin.
Cila është përgjegjësia juaj në këtë humbje, ju kritikuat Ramën ditën që do shpalleshin listat?
Unë tashmë kam kohë që përsëris pa u lodhur me një qëndrim të dhembshur për deformimet, për mosfunksionimin edhe të rregullave dhe të institucioneve bazë të institucioneve të PS-së por edhe atë atyre marrëdhënieve me shoqërinë e hapur të cilat i japin politikës vitalitet dhe aftësi konkurruese. Pra dhe në prag zgjedhjesh in-ekstremis përsërita të njëjtin qëndrim kritik, dashamirës duke u përpjekur të sjell në një tryezë dhe në një dialog të shëndetshëm, liderët e së majtës. Pa bashkimin e së majtës zgjedhjet ishin të taksura për tu humbur. Isha i bindur, jam i arsyetuar dhe do vazhdoj të militoj që e majta të rigrupohet në një familje.
Pse e majta nuk rigrupohet?
Ka disa arsye që nuk janë më të lidhura me fushat elektrike që janë krijuar mes liderëve të së majtës por janë ngritur, dhe prandaj duhen kuruar në thellësi, mbi konceptet e ndryshme politike apo të marrëdhënieve me pushtetin që kanë bie fjala Rama dhe Meta pa i fyer degëzimet që ushqehen nga trungu, patickat më të vogla, lidhen me grupime interesash dhe përfaqësuesish grupesh interesi që janë në konflikt me njëri-tjetrin jo vetëm në treg por dhe në politikë të grupuar rreth liderëve përkatës, lidhen me deformimin e karakterit dhe të funksionimit të partive politike. Natyrisht unë nuk do e harxhoj kohën e kësaj bisede për një analizë krahasuese. Ka qenë shumë më e hapur PS për shkak të rregullave të bashkëjetesës politike dhe kontrollit mbi të zgjedhurit përpara ciklit Rama siç e quajti Majko, që jepte mundësinë të bashkëpunonte dhe me grupime politike të dala prej saj apo brenda saj.
Zoti Majko u shpreh se mbaroi cikli Nano dhe filloi cikli Rama ?
Do vazhdojmë të themi gjëra serioze? Zoti Majko kështu është, e njohim, së pari nuk thotë atë që mendon. Përgjithësisht edhe ju ia vutë në dukje se po bënte interpretin e dikujt tjetër. Dhe meqenëse nuk thotë gjërat që mendon as vetë nuk i mban mend. Ti thuash Majkos përsërite ato që the mbrëmë, unë jam i sigurt që do ta ketë të vështirë. Ose nuk i kupton ato që thotë.
Ka qenë dy herë kryeministër i Shqipërisë, zoti Nano?
Më lejoni të arsyetoj jo për të gjitha incidentet e socialistëve në 18 vjet pluralizëm. Zoti Majko flet për cikle, çfarë ciklesh, mbaruan periodat e mia dhe filluan të Ramës. U mbyll cikli i politikanëve profesionistë apo u mbyll cikli i reformatorëve dhe reformave që çuan PS në Internacionalen Socialiste, u mbyll cikli i idealeve dhe politikave të ndërtuara mbi parime dhe u hap cikli i interesave dhe i blerjes së përfaqësuesve mbi bazën e grupeve të interesit. Në pikëpamjen politike formula që lëshoi zoti Majko nuk ka mundësi për tu argumentuar. Nga pikëpamja e propagandës apo gjendjes së sotme në lidershipin e PS-së, mund të gjenden dhe broçkulla të tjera.
Zoti Rama ka marrë numrin më të madh të votave në zgjedhje përfshirë dhe ato që keni fituar ju?!
Nuk e përballojmë dot humbjen e Ramës vetëm me shifra pragmatiste se kjo që thatë ju, nga analistët është trajtuar si një revolucion relativ me rritje demografike të popullsisë, me rritjen e numrit të votuesve, me grupin e madh që votoi për herë të parë dhe në pesha relative PS apo e majta në tërësi mbetet në ato nivele që është votuar të paktën në 10 vitet e fundit. Ajo që dominon me gjithë këtë situatë numrash është se e majta vazhdon të jetë pjesa më e votuar por mbetet në opozitë për shkak të përçarjes. Rama nuk kishte për detyrë të merrte më shumë vota se herë tjetër por kishte mision që ti bashkonte gjithë votat për të majtën në një formacion.
Rama pretendon se këto vota janë vjedhur?
Ky është një debat që pas certifikimit të zgjedhjeve nga institucioni i vetëm që e bën këtë, KQZ, pas certifikimit nga shoqatat e vëzhguesve të pavarur vendas apo ndërkombëtar, OSBE/ODHIR, Këshilli Evropës, në tërësi të NATO-s si dhe nga vlerësimet e tjera në të cilat dominon fakti se nuk ka prova për manipulim apo votash krahas parregullsive të njohura, unë besoj se nuk është as vendi as koha për klasën politike të mburret me progresin më të madh apo numrin më të madh të votave të marrë se në të kaluarën. Është koha për të ndërtuar dhe respektuar standarde moderne. Standardi themelor është të pranosh rezultatin, të nisesh me vrap të bësh betimin si përfaqësues i popullit dhe të fillosh jetën parlamentare që zhvillohet mbi bazën e ballafaqimit kuvendor.
Opozita ka vendosur disa kushte që mazhoranca nuk po i plotëson?
Nuk besoj se janë të qarta kushtet madje janë kaq të paqarta sa çdo përfaqësues edhe në studiot mediatike fut diçka nga vetja. Si duket kanë pushuar së vepruari dhe format e vjetra të edukimit në PS dhe nuk i kanë sjellë të gjithë në një mendje për të mbrojtur ato që quhen si kushte.
Majko tha se janë të gatshëm dhe për protesta popullore?
Mjaft u more me shakatë e Majkos. Mendon se Majkos dhe Ramës i shkon kush pas për protesta. Jemi vitin 2009 kur bota e madhe në të cilën integrohemi nuk ka asnjë hapësirë ndaj protestave që nuk njohin rezultatin e zgjedhjeve të certifikuara nga institucionet demokratike. Prandaj kjo është një aventurë e dështuar. Unë do të vazhdoj të punoj, madje do tu bëj thirrje që sot, të gjithë anëtarëve të PS-së që më 26 shtator mbi fletët e lakrorit që ka ndërtuar Rama, me gjithë respektin që kam për Maqon, por Lakrori dhe Maqo janë bashkuar aksidentalisht tek i njëjti njeri, të shënojnë me germa kapitale jo bojkotit. Kjo është thirrje dhe unë kam besim te kurajoja e tyre për ta bërë këtë gjë. Nuk është koha për ta bërë farsa elektorale sipas parimit çdo anëtar e hedh votën në kutitë e bashkisë, por është koha për të marrë përgjegjësitë që u ka dhënë populli 65 përfaqësuesve të zgjedhur ku Rama mungon, të punojnë për çfarë janë votuar.
Rama ka rihyrë në një garë. Pse nuk konkurruat me të në këtë garë?
Unë nuk jam si do u interesonte grindavecëve për të bërë këtë që thoni ju. Unë nuk mund të bëj të njëjtën gjë gjatë gjithë jetës aktive. Unë drejtova PS-në deri në një moment mossuksesi në ballafaqim elektoral, krijova standard të sjelljes politike bashkëkohore të largimit me rastin e humbjes. Mund të qëndroja nëse nuk do isha në rregull nga trutë por këtë do e shfaqja pa pritur sepse gjithë jeta ime ka qenë e konkretizuar nga përkushtimi që e bënë PS-në të qeveriste vendin dhe të afrohej me organizatat ndërkombëtare. Duhet të jepja shembullin e liderit.
Mund të jepnit dorëheqjen dhe të rikandidonit?
Nuk jam njeri i prapaskenave.
Ndjeheni i penduar në kohën që Rama po rikandidon?
Ka qenë e vështirë dhe unë kam sakrifikuar mjaft për të krijuar shembuj pozitivë. Vetëm kështu mund të bëhemi të denjë për partneritet dhe jo pas çdo sjellje të mbrapshtë të marrim kritikat.
Çfarë duhet të bënte Rama pas zgjedhjeve të 28 qershorit?
Duhet të respektonte precedentin, jo të më imitonte mua, por ditën që dha rezultatin KQZ duhet të jepte dorëheqjen dhe duhet ta bënte me të njëjtën dashuri që e bëra unë. Por ne e dënuam të rrinte në zyrat e shtetit.
I ka fituar. Ju e keni mbështetur dhe nuk kishit kandidat më të mirë..
Ju mendoni se Rama do i fitonte zgjedhjet nëse nuk do kishte pasur mbështetjen e PS-së në vitin 2000 apo 2003. Ne kemi nxjerrë disa ministra apo kryeministra dhe nuk paskemi qenë në gjendje të nxirrnim disa kandidatë modele kryetari bashkie të suksesshëm? Kur je në pushtet dhe brenda familjes do i bësh shërbimin publik partnerit tënd. Rama ka qenë partner me mua deri në ditën që pushtetin që i dhamë e vërviti kundër familjes së vet politike.
Prej dy javësh qarkullon një ide se ju mund të kandidoni për kryetarin e Bashkisë së Tiranës?
Do vijmë më vonë aty. Se ju do më pyesni çfarë do bëj. E lemë megjithatë të gjitha hapësirat janë të mundshme. Të gjitha vendet që janë në axhendën e konkurrimeve të ardhshme. Unë nuk i kam ndërtuar marrëdhëniet mbi bazën e frikës apo skemave dhe intrigave.
Kush mund tu kandidonte ju për kryetar bashkie Meta apo Berisha?
Më lejoni të them se më vjen keq, më dhimbset që aventurizmi i këtij masoni të pasuruar, Edvin Ramës në Shqipëri dhe në PS nuk po ndalet dot nga askush. Nuk është fjala për veprime të paligjshme me të cilat duhet ndalur por është fjala për një trysni demokratike normale, në një shtet ligjor në të cilin nuk të lejohet të sillesh në këtë mënyrë as me pushtetin bashkiak, as me pushtetin politik, as me pushtetin e vendimmarrjes në fushën e ndërtimeve apo të përdorimit të buxhetit bashkiak, as në kontaktet shpesh të padukshme me botën e nëndheshme.
Keni informacione?
I kam të gjitha informacionet që hajduti thërret kapeni hajdutin se një numër i personave në kërkim kanë qenë në stafet operative të Ramës. Kam folur me organet përkatëse sepse ditën që iu përgjigjëm me të njëjtin sinqeritet njëri-tjetrit në shfaqjen publike iniciativë e Metës për bashkimin e së majtës, në orët e vona të asaj nate mora mesazhe kërcënuese për jetën. "Po guxuat ju të dy të bukurit e shejtanit, ishte mesazhi, të kërcënoni Ramën dhe fatin e tij politik do ta paguani me jetë". Këtë gjë e kam denoncuar në organet përkatëse. Dhe me të gjitha kontaktet që nuk më mungojnë sepse një politikan karriere nuk është jetim në mes të xhunglës, kam mundur të verifikoj se nga vinin këtë kërcënime dhe nga kush bëheshin dhe sigurisht kam marrë masat e mia. Pra si është e mundur që një parti e madhe, anëtare e Internacionales, siç është partia që kam mundur të krijoj dhe të rris në vite, nuk po mundet të ndalë, si është e mundur që një klasë politike po lejon që një njeri të tallet me një nga pjesët më demokratike të shoqërisë shqiptare dhe të bëjë shantazhe ekstra parlamentare. Si është e mundur që askush nuk po del përballë këtij njeriu. Nëse është kështu unë jam këtu për ti qëndruar përballë këtij aventurieri, në bashki në presidencë në çdo vend tjetër për të ruajtur stabilitetin. Jam i gatshëm të përballem me Ramën dhe cilindo për ti dhënë fund aventurës së tij.
Duke konsideruar dhe kandidim për bashkinë?
Është krejtësisht e hapur dhe kjo mundësi dhe do jetë pjesë organike e skemës politike në vitet e ardhshme.
Sipas zërave, socialistët e vërtetë ndjehen zemërthyer për mos thënë armiqësorë?
Unë nuk e kam këtë ndjesi, përkundrazi dhe në momentet më të fundit para se të mbërritja në studio mesazhet ishin të pamundura për tu kthyer besimin, kujdesjen dhe kurat çudibërëse të miat sepse tashmë janë të plagosura rëndë. Pra unë besoj se spekulimet për zemra të trafikuara nuk kanë asnjë vlerë. Këtë ua thotë një njeri që kurrë nuk ka ndërprerë marrëdhëniet me njerëzit që e kanë mbështetur në burg dhe në liri, me njerëzit që e kanë merituar një jetë më të mirë, një përfaqësim politik të denjë, pra askush nuk mund, pavarësisht nga intensiteti i intrigës qoftë edh mediatike, të shkëpusë Fatos Nanos nga masa e socialistëve.
Megjithëse ju e quani Ramën mason, shpërdorues etj, zërat kundër tij janë inegzistentë thuajse?
Kjo është një gjendje e sëmurë që po arsyetojmë dhe ne dhe fatmirësisht jo vetëm ne. Është një gjendje ku masa e socialistëve ndjehet e dhunuar, e asfiksuar nga lidershipi i cili me manipulim forumesh dhe vendimesh të forumeve po mbyll mundësitë e dëgjimit nga publiku i madh i zërave të vërtetë socialistë. Ndërkaq çdo e keqe e ka të mirën brenda. Pas kaq kohësh sërish ka një grup përfaqësuesish madje nga më dinjitozët të PS-së, të rritur në një klimë tjetër, në klimën e solidaritetit dhe të funksionimit të një demokracie shumë vitale në PS të sprovuar dhe të mbushur me eksperiencë politike dhe qeverisëse në periudhën pas 97, të cilët po shihen me simpati dhe nga opinioni publik por dhe shumë socialistë.
A jeni ju ideatori?
Indirekt po sepse janë rritur në këtë mjedis, në klimë, në këtë parti që i ka dhënë shumë Shqipërisë.
Lëvizja e tyre është e rakorduar nga ju, qëndroni ju pas tyre?
Nuk është në stilin tim të ndërtoj skema të tilla, së pari këta janë njerëz që kanë dinjitetin e të dalit në plan të parë, dinjitetin e skenës politike, publike, daljes së platformave. Unë i konsideroj parnerë siç i kam pasur dhe nëse do dëshironin unë jam në kontakt jo vetëm me ta por me shumë përfaqësues, nëse do dëshironin që dhe në publik tu thosha sugjerimet e mia sigurisht që ata janë të qartë dhe të orientuar drejt në aksionin politik por këtij aksioni duhet ti japin më shumë frymëmarrje, të zgjerojnë rrethin e bashkëpunëtorëve dhe nuk duhet të hezitojnë se kapen rob në kurthet statutore, Rama-Ruçi. Detyra e përfaqësuesve sot është të shkojnë në Kuvend për të bërë detyrën për të cilën janë mandatuar. Një qeverisje pa opozitë është rrezik i madh për deformimin e vendit.
Ky lajm është publikuar: 25/09/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›