Arrestohet punëtori i Lazaratit

Një person është arrestuar në Gjirokastër me një kilogram hashash. Besnik Selimi, 22 vjeç, lindur dhe banues në Elbasan është kapur teksa ka qenë duke transportuar drogën nga Gjirokastra për në Elbasan.
Ai është arrestuar dje rreth orës 17.30 në aksin rrugor Gjirokastër -Tepelenë , në vendin e quajtur Uji i Ftohtë. Gjatë kontrollit të bërë në një furgon që punon në linjën Sarandë –Elbasan, policia ka gjetur sediljen e fundit të këtij automjeti një qese plasmani, ku brenda saj kishte lëndë narkotike në formën e boçes, citon noa.
Policia ka bllokuar automjetit dhe pasagjerët që udhëtonin me këtë automjet dhe pas disa minutash kanë bërë të mundur identifikimin e poseduesit të lëndës narkotike. Në qesen e plasmasit, u gjet dhe u sekuestrua rreth 1 kilogram lëndë narkotike hashash.
Nga veprimet e para hetimore rezultoi se Selimi e kishte marrë lëndën narkotike në Lazarat dhe do ta shiste në sasi të vogla në lokale nate në Elbasan.
Sipas hetimeve të policisë, Selimi gjatë muajit korrik është shoqëruar disa herë në ambjentet e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Gjirokastër, gjatë aksioneve të policisë për parandalimin e futjes së punëtorëve në fshatin Lazarat, me qëllim kultivimin e bimëve narkotike dhe është proceduar penalisht .