Katalonia, fuqia e shtatë e Evropës

Po qe se do të ishte një shtet i pavarur, Katalonia do të ishte e shtata në Bashkimin Evropian sa i përket pasurisë për kokë banori, ka theksuar kryetari i saj, Artur Mas, ndërkohë që të dielën (sot) zhvillohen zgjedhjet e parakohshme në këtë rajon.
“Sa i përket popullatës, ne do të ishim diku në mes, meqë për nga popullata gjysma e vendeve të Bashkimit Evropian janë më të vogla se Katalonia”, ka deklaruar Artur Mas, kryetari nacionalist konservator i këtij rajoni me 7,5 milionë banorë, në verilindje të Spanjës, shkruan gazeta "Zëri".
“Sikur Katalonia të ishte vetë shtet, për nga pasuria për kokë banori, aktualisht do të ishte vendi i shtatë në Bashkimin Evropian: janë 27 vende, e ne do të ishim të shtatët”, ka thenë ai për televizionin spanjoll “TVE”. “Për nga territori, ne do të ishim në mesin e vendeve të vogla, i 22-ti ose i 23-ti”, ka shtuar ai.
Referendum brenda katër vjetësh
Katalonia, me një bruto prodhim të brendshëm për kokë banori prej 27.430 eurosh më 2011, sipas Institutit Kombëtar të Statistikave, është në pozitën e katërt ndër 17 rajonet e Spanjës, mbi mesataren kombëtare (23.271 euro) dhe të Bashkimit Evropian (25.134 euro).
Artur Mas, në konflikt me qeverinë spanjolle, e cila refuzon një autonomi më të madhe buxhetore për rajonin e tij, ka thirrur këto zgjedhje duke shpresuar se do të sigurojë një shumicë absolute në parlamentin rajonal për koalicionin e tij, Convergencia i Unio (CiU).
Në rast të fitores, ai ka premtuar se brenda katër vjetësh do të organizojë një referendum për pavarësinë e Katalonisë. Gjatë fushatës zgjedhore, e cila ka përfunduar të premten në mbrëmje, ai ka mbrojtur idenë e një “shteti sovran”, duke iu shmangur përdorimit të fjalës “pavarësi”.
Mirëpo, në një Kataloni ku çështja e identitetit ka qenë gjithmonë e ndjeshme, kriza ekonomike ka ushqyer ndjenjën separatiste: kjo është manifestuar me forcë më 11 shtator, gjatë një manifestimi shumë të madh në rrugët e Barcelonës.
Megjithëse hulumtimet e fundit CiU-së i parashohin vetëm një shumicë relative, të barabartë me atë që tashmë e ka në parlamentin rajonal, nga kjo frymë do të duhej të përfitojnë partitë e të majtës separatiste, duke filluar nga ERC (Esquerra Republicana de Catalunya), formacioni historik separatist.
Katalonia mund të mbijetojë
Ndërkaq, shefat e ndërmarrjeve janë të brengosur për pasojat ekonomike që mund t’i shkaktojë pavarësimi i mundshëm në të ardhmen i Katalonisë. “Sa i përket shkallës tonë të hapjes, do të thotë kapacitetit tonë për të eksportuar, për të importuar, për ta hapur ekonominë tonë ndaj botës, ne do të ishim në pozitën e nëntë ose të dhjetë nga 27 (anëtarët e BE-së)”, ka siguruar Artur Mas.
“Ne do të mund të mbijetonim. Ne do të merrnim një pjesë të madhe të deficitit tonë fiskal në raport me shtetin spanjoll. Nuk duhet harruar se çdo vit Katalonia prodhon 16 miliardë euro, pra 16 miliardë euro dalin nga Katalonia dhe nuk kthehen”, ka theksuar kryetari i rajonit.
Katalonia, rajoni me më së shumti borxh në Spanjë (22% të bruto prodhimit të brendshëm), ndihet e dëmtuar nga një deficit fiskal kronik dhe i kërkon Madridit një “pakt fiskal”, i cili do t’i mundësonte që vetë të ngrejë taksat.
Një statut i tillë ekziston tashmë në Baski dhe në Navarro, dy rajonet e Spanjës ku bruto prodhimi i brendshëm për banor është më i larti.
Katalonia thotë se vuan nga një deficit fiskal vjetor prej 16 miliardë eurosh, gjë që e konteston Madridi, dhe e akuzon qeverinë qendrore se është përgjegjëse për vështirësitë e saj financiare.
Ne nuk jemi vasalë të shtetit spanjoll
“In-de-pendancia”, “Mas president”, kanë thirrur të premten në mbrëmje mijëra përkrahës të kryetarit të Katalonisë, Artur Mas, gjatë mitingut të fundit zgjedhor para zgjedhjeve të së dielës në këtë rajon të Spanjës, i mbërthyer nga ethet separatiste, gjë që po e shqetëson Evropën.
“Ne nuk jemi vasalë të shtetit spanjoll”, ka thënë Artur Mas para një mali flamujsh, katalanë e evropianë, por edhe separatistë, në stadiumin “Sant Jordi” të Barcelonës, i cili ka 18.000 ulëse, e i cili ishte dëng.
Sikur gjatë tërë fushatës, ky orator i rryer, e karizmatik, i ka bishtnuar përdorimit të fjalës “pavarësi”, të cilën e ka zëvendësuar me fjalët “shtet sovran” ose “liri”.
Në konflikt të hapur me Madridin që kur qeveria e djathtë e Mariano Rajoyt ka refuzuar një ujdi që i jep më shumë autonommi fiskale rajonit, Artur Mas ka çuar rajonin drejt zgjedhjeve të parakohshme./Indeksonline/