Arrestohet se shkaktoi vetëvarjen e së shoqes
Veprimet e mosveprimet e tij kanë bërë që bashkëshortja t‘i japë fund jetës. Ky ka qenë konkluzioni i policisë, që ka vendosur të arrestojë një 44-vjeçar nga Bathorja, pasi dy net më parë gruaja e tij është vetëvarur në banesë. Burime zyrtare nga Policia e Tiranës bënë të ditur se nga efektivët e Komisariatit të Policisë Numër 5 është bërë ndalimi i Besnik Hasës, 44 vjeç, lindur në Kukës dhe banues në Bathore të Tiranës. Hasa mësohet të ketë qenë i proceduar më parë për veprën penale të "vjedhjes". Burimet e policisë thanë se arrestimi i tij është bërë pasi rezulton se është autor i dyshuar i shkaktimit të vetëvrasjes së bashkëshortes së tij, Elisabeta Hasa, 27 vjeçe. Kjo e fundit, rreth orës 02:00 të dy ditëve më parë, ka varur veten me një shall në dritaren e banesës së saj. Ajo është gjetur e pajetë nga vetë i shoqi, kur është kthyer në banesë, i cili ka bërë dhe njoftimin e policisë së kryeqytetit. Në drejtim të banesës janë nisur efektivët e Komisariatit Numër 5, që kanë bërë dhe hetimet. Në vendin e ngjarjes janë kryer të gjitha veprimet hetimore dhe procedurale, ndërkohë që materialet e përpiluara në ngarkim të Besnik Hasës i kanë kaluar Prokurorisë së Tiranës, si autor i konsumimit të veprës penale të "shkaktimit të vetëvrasjes". Hasa është marrë në pyetje edhe nga policia, por nuk ka pranuar akuzën e ngritur ndaj tij, duke deklaruar se nuk kishte ndikuar në vetëvrasjen e së shoqes. Pas vetëvrasjes së 27-vjeçares dhe pas arrestimit të bashkëshortit, katër fëmijët e tyre kanë mbetur në mëshirë të fatit. Nëna e 44-vjeçarit ka bërë apel që të lirohet djali i saj, me qëllim përkujdesjen ndaj fëmijëve.