E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ngrohja në shkolla, nis debati bashki-LSI

Një grup të rinjsh të LRI-së i janë drejtuar me batanije në duar gjimnazit "Petro Nini Luarasi" në kryeqytet, në shenjë proteste për mungesën e ngrohjes në të gjitha shkollat e kryeqytetit. Ata kanë bërë përgjegjëse Bashkinë e Tiranës për këtë situatë të krijuar, ku nxënësit gjatë orëve të mësimit ngrijnë nga i ftohti. Menjëherë pas kësaj forme proteste është kundërpërgjigjur nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Eduard Shalsi. "Është për të ardhur keq që batanijet e përdorura të grevës së urisë, Ilir Meta i dërgoi te shkolla ‘Petro Nini‘ për të dhënë një tjetër shfaqje të shëmtuar të politikës së vjetër të abuzimit me shqetësimet reale të njerëzve", tha Shalsi. Ai ka kujtuar se Bashkia e Tiranës ka qenë e para që ka futur ngrohjen qendrore në shkolla. Sipas numrit dy të bashkisë, investimi në sistemet e ngrohjes është pjesë e buxhetit bashkiak të çdo viti. "Në vend që të vazhdojë me politikën e dështuar të batanijeve, Ilir Meta bën mirë të mos vazhdojë me bllokimin e buxhetit të ri të Bashkisë së Tiranës për interesa që s‘kanë të bëjnë me Tiranën, por të vijë e ta votojë atë sa më shpejt, në mënyrë që ky shqetësim serioz të zgjidhet e që pikërisht nxënësit e "Petro Ninit" dhe të tjerë të përfitojnë nga buxheti i këtij viti, sistemin e planifikuar të ngrohjes për ta", tha Shalsi. Investimet në infrastrukturën arsimore, i kaluan si kompetencë pushtetit vendor në vitin 2004. Drejtuesit e bashkisë më të madhe në vend bëjnë të ditur se

përgjatë viteve 2004-2008 janë realizuar sistemet e ngrohjes në 32 shkolla, 17 kopshte dhe 15 çerdhe të Tiranës. Vetëm gjatë vitit 2008 janë realizuar sistemet e ngrohjes në 18 shkolla, 11 kopshte dhe 11 çerdhe. Për vitin 2009, sqarojnë ata, në investimet për infrastrukturën arsimore, është programuar realizimi i sistemit të ngrohjes në disa shkolla midis të cilave është përfshirë edhe sistemi i ngrohjes te "Petro Nini Luarasi". Ndërkohë që mësohet se Bashkia e Tiranës përmes një bashkëpunimi me Bankën e Këshillit të Evropës po bën të mundur ndërtimin e 7 shkollave të reja, dhe rikonstruksionin e plotë të 12 shkollave në Tiranë, sipas standardeve moderne dhe bashkëkohore.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›