E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shitja e lirë e helmeve shton numrin e vetëvrasjeve

Ulja e numrit të vetëvrasjeve kërkon në mënyrë urgjente vendosjen e rregullit në shitjen e lëndëve helmuese. Mjeku toksikolog i spitalit të Fierit, Kilo Stoja, i cili trajton çdo vit rreth 100 raste vetëhelmimi, thotë se shtimi i rasteve të vetëvrasjeve me helm gjatë vitit 2008 ka lidhje direkt me tregtimin e lëndëve helmuese në mënyrë të pacertifikuar, si dhe me mungesën e një fushate sensibilizuese.

Apeli i mjekut

"Pothuaj të gjitha rastet e paraqitura me vetëhelmim gjatë vitit 2008 kanë pasur si lëndë toksike, fostoksinën dhe lëndë të tjera helmuese që përdoren për zhdukjen e brejtësve apo dhe të insekteve të ndryshme. Nga të dhënat e shkruara në kartelën e çdo pacienti të vetëhelmuar, del se lënda toksike është siguruar në treg të lirë, madje edhe nëpër tregtarë ambulantë", thotë mjeku Kilo Stoja. Sipas tij, autoritetet shtetërore duhet të frenojnë shitjen e lëndëve helmuese në tezgat e rrugëve, madje të disiplinojnë edhe shitjen në dyqane. "Nga rastet e trajtuara prej repartit të intoksikacionit në spitalin e Fierit del se lënda toksike është siguruar jo në farmacitë bujqësore, por në njësi tregtare të palicencuara", thotë mjeku. Ai saktëson se gjatë vitit 2008 janë regjistruar 120 raste vetëhelmimesh që kanë përfunduar me vdekje. Në krahasim me vitin 2007, vërehet një rritje me 20 raste vdekjesh nga helmimi. Janë femrat ato që kanë përdorur më shpesh helmin dhe grupmosha varion nga 17 në 50 vjeç. Mjeku Kilo Stoja, i cili tregon se për çdo ditë të vitit trajton nga një deri në tre raste vetëhelmimi, bën thirrje për mobilizim të autoriteteve përkatëse për ndalimin e tregtimit lirshëm të lëndëve toksike, si dhe nisjen e fushatave sensibilizuese të popullsisë, me qëllim që kjo e fundit mos të gjejë zgjidhje te helmimi.

Tregtarët

Rruga "Jani Bakalli" në qytetin e Fierit, pikërisht pranë stacionit të autobusëve për në Patos, cilësohet si rruga ku të gjitha llojet e lëndëve toksike shiten hapur. Gazeta ka mundur të shkëpusë foto të disa prej lëndëve helmuese që i ofrohen çdo kalimtari. Tregtarët e këtyre lëndëve të pohojnë faktin se janë ambulantë dhe nuk kanë asnjë lloj certifikate për shitjen e lëndëve helmuese. Madje ata deklarojnë se në rast të kontrollit të rastësishëm të policisë bashkiake, i fshehin lëndët toksike nën artikujt e tjerë. Lidhur me sigurimin e lëndëve toksike, tregtarët të thonë se fostoksina prodhohet nga persona të palicencuar. "Persona të ndryshëm që nuk kanë farmaci bujqësore apo ndonjë licencë e ofrojnë fostoksinën në disa fishekë metalikë. Një prej fishekëve mban deri në 10 kokrra fostoksinë. Asnjëherë nuk e servirim këtë helm me kontakt të drejtpërdrejt në dorë, por gjithmonë brenda disa qeseve të vogla. Edhe helmet e tjera sigurohen nga prodhues artizanalë. Një kokërr fostoksinë kushton deri në 20 lekë të reja", thotë një nga tregtarët ambulantë të lëndëve helmuese në Fier. Brunilda, një nga tregtaret që shesin helme në rrugën "Jani Bakalli", thotë se "kanë qenë të shumta rastet kur kam konstatuar se personi që ka blerë lëndë toksike ka helmuar veten me to. Jam ndier keq, por nuk e dalloj dot një blerës që ka për qëllim të vrasë veten nga një tjetër që e do helmin për të shfarosur minjtë". Nga ana tjetër mësohet se policia bashkiake e Fierit, të paktën për dy vitet e fundit, nuk ka kryer asnjë kontroll specifik për helmet në këtë rrugë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›