E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arrestohet trafikanti, kaloi klandestinë në Greqi

Arrestohet 52 vjecari i cili ndihmoi 6 qytetarë nga Fieri të kalonin ilegalisht në tokën greke. I arrestuari do të përfitone 4200 euro për transportimin e klandestinëve në tokën helene, nëpërmjet pikës kufitare të Kakavijës. 

GJIROKASTER- Specialistët e luftës kundër trafiqeve të paligjshme në drejtorinë e policisë në Gjirokastër arrestuan në mesnatën e së mërkurës Mithat Dautajn, 52 vjec lindur dhe banues në qytetin e Ballshit. Arestimi i 52 vjecarit Dautaj u bë pasi në datën 21 rreth orës 19.00, ai ka ndihmuar shtatë shtetas nga rrethi i Fierit për të kaluar kufirin në mënyrë ilegale. Për ndihmën ndaj klandestinëve Dautaj do të përfitonte 600 euro nga secili, ndërsa shuma e përgjithshme arrinte në 4200 euro. Klandestinët nga Fieri kanë mundur të kalojnë kufirin tonë në afërsi të pikës doganore të Kakavijës dhe madje kanë arritur të hyjnë edhe në thellësi të tokës greke. Por mbasi kanë kaluar kufirin e gjelbër dhe kanë bërë disa kilometra në tokën greke ata janë kapur nga policia greke dhe janë kthyer prej kësaj policie në stacionin e policisë Kakavijë, ku i janë dorezuar policisë së kësaj pike. Policia arrestoi në Gjirokastër Dautajn, për veprën penale të dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit. Mësohet nga policia, se Dautaj ka qënë i dënuar para dy vitesh me 6 muaj burg për veprën penale të kundërshtimit me dhunë të punonjësit të policisë, dënim që ai e ka kryer.

(s.g/BalkanWeb)



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›