E Shtunë, 31 Tetor 2026

Opozita rrëzon pr/ligjin për Kodin Civil

PS paralajmëron se nuk do të japë konsensusin në parlament nëse nuk përcaktohet një datë për miratimin e Kodit Zgjedhor. Leskaj tha se vota pro Kodit Civil do të ishte hera e fundit. Por edhe me votat e PS Kodi Civil nuk arriti të marrë 84 votat. 

TIRANE- Partia Socialiste paralajmëron se nuk do të japë më asnjë konsensus për ligjet e rëndësishme në Parlament, nëse mazhoranca nuk vendos një datë të saktë për miratimin e Kodit të ri Zgjedhorë.
Deklarata ka ardhur nga kryetarja e grupit socialistë Leskaj, para nisjes së procedurës së votimit të disa ndryshimeve në Kodin Civil, i cili kërkonte 84 vota pro.
Pas rrëzimit të ndryshimeve, të cilat edhe me votat e PS-së, kapën vetëm numrin 77 të votave pro. Leskaj tha se “duhet urgjentisht të vi në Kuvend Kodi i ri Zgjedhorë”.

“Ajo ç’ka kam deklaruar në sallë ka të bëj me qëndrimin e grupit parlamentar të PS-së, ku është thënë se, do ti votojmë ndryshimet në Kodin Civil për shkak se kemi votuar çdo nismë e cila mund ti kontribuojë luftës kundër korrupsionit. Edhe pse nuk besojmë se edhe ky ligj ashtu siç janë miratuar të gjitha deri me sot, nuk do të kenë ndonjë impakt në luftën kundër korrupsionit” tha Leskaj. Gjithashtu ajo shtoi se “kam kërkuar të përshpejtohet puna për miratimin e Kodit Elektoral, për shkak se çdo vonesë mund të cenoj cilësinë e procesit zgjedhorë, sepse jemi në afatet e fundit kohore”.

Por homologu i saj demokrat Astrit Patozi, deklaron se “mos arritja e një kuorumi për të kaluar ndryshimet në Kodin Civil, që sipas Partisë Demokratike ishin të rëndësishme në luftën kundër korrupsionit, erdhi vetëm pasi opozita nuk e dha në tërësi votën e saj pro.
“Ultimatumi i zonjës Leskaj nuk kishte lidhje me votimin e sotëm, pasi një pjesë e grupit të Partisë Socialiste votuan kundër këtij projektligji, ndërkohë një pjesë tjetër votuan pro”, tha Patozi.
Më tej ai shtoi se “është një xhest shumë jo serioz dhe mbi të gjitha është një rast i përsëritur ku Partia Socialiste për fat të keq bëhet avokate e korrupsionit në të gjitha segmentet ku ai është i pranishëm”.

Sipas tabelës elektronike të votimit, kanë qenë vetëm tre vota të Partisë Socialiste që nuk kanë shkuar pro këtyre ndryshimeve, të cilat edhe nëse do të ishin në favor të tyre nuk do të kishin arritur kuorumin e domosdoshëm të 84 votave, për ti kaluar ato.
Në seancë është vënë re mungesa e ministrave të kabinetit Berisha, ku vetëm tre prej tyre, Gjana, Xhuveli dhe Beja kanë dhënë votën pro, duke qenë edhe të pranishëm në sallë.
Deri tani PD dhe PS kanë arritur të kalojnë në komisionin e posatshëm për Kodin Zgjedhore disa kapituj të rëndësishëm që vijnë në përshtatje me sistemin e ri zgjedhorë, ndërsa vazhdon puna për përfundimin e tij. Palët në komision ishin shprehur se nuk do të ishte e mundur arritja e afatit të përcaktuar fundi i muajit shtator, por ritmet me të cilat po ecet duket se do ta çojnë miratimin e tij edhe përtej tetorit.
(a.r/news24/balkanweb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›