Arrihet marrëveshja, Shqipëria dhe Kosova abetare të përbashkët
Tiranë- Është arritur marrëveshja që Shqipëria dhe Kosova të kenë një abetare të përbashkët.
Një komision i përbërë nga 10 veta do të përcaktojë se cila shtëpi botuese do të merret me këtë tekst i cili do të sjellë dhe unifikimin e gjuhës shqipe.
I pranishëm ishte dhe ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj, i cili deklaroi se abetarja do të jëtë për të gjithë nxënësit e klasave të para në Kosovë, ndërsa në shqipëri secila shkollë mund të zgjedhë abetaren më të përshtatshme.
“Ministria e Arsimit e Republikës së Kosovës ka pranuar procedurat tona. Ne do të kemi një komision të përbashkët dhe javën që vjen nis procesi i vlerësimit. Kjo abetare do të përdoret nga nxënësit e klasave të para, ndërkohë që ju kujtojmë se në Shqipëri kemi katër abetare që janë në përdorim dhe nuk mund të nxirren nga tregu. Do t’i mbetet shkollave të zgjedhin vetë abetaren, pasi të miratohet edhe abetarja e re”, tha Tafaj.
Më tej ai tha se shtëpia botuese do të zgjidhet në mënyrë të hapur dhe do të përfitojë ajo që ka standartet më të mira.