E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arrihet marrëveshja, mjekët ndërpresin grevën

Prishtinë - Punonjësit e shëndetësisë në Kosovë i kanë dhënë fund grevës. Pas diskutimesh të gjata midis përfaqësuesve të shëndetësisë, sindikalistëve dhe përfaqësuesve të qeverisë, rreth orës 03:00 të mëngjesit të sotëm u arrit marrëveshja për dhënien fund të grevës, e cila prej ditësh ka futur në kaos gjendjen e pacientëve nëpër spitalet e vendit.

Vendimin për ndërprerjen e grevës e ka konfirmuar edhe përfaqëseusi i sindikatës Asllan Bajrami.

Sipas një deklarate për shtyp të kryeministrisë, bëhet e ditur se në takimin e përbashkët të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Këshillit Kombëtar të Federatës Sindikale të Shëndetësisë së Kosovës (FSSHK), në kuadër të dialogut social, u arrit pajtimi për ndërprerjen e grevës.
Gjithashtu është rënë dakord që t’i propozohet Kuvendit të Republikës së Kosovës që të formojë një grup pune të përbërë nga deputetë, ekspertë të fushës dhe përfaqësues të FSSHK-së për ofrimin e zgjidhjeve për problemet në shëndetësi.

Gjatë mbledhjes u rikonfirmua se përmirësimi i gjendjes në sektorin e shëndetësisë është një ndër prioritetet strategjike të Qeverisë.

Me këtë rast, Kryeministri i Republikës së Kosovës, z. Hashim Thaçi u zotua për angazhime konkrete të Qeverisë në mënyrë që problemet e grumbulluara në sektorin e shëndetësisë të zgjidhen me një dinamikë të përshpejtuar.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›