E Shtunë, 31 Tetor 2026

Për titullin doktor duhet folur maqedonisht

Shkup - Për të marrë një titull shkencor në Universitetin “Shën Kirili dhe Metodi” të Shkupit (UKM) është patjetër që këtë ta bësh në gjuhën maqedonase edhe kur bëhet fjalë për studiues të gjuhës dhe letërsisë shqiptare. Paradokse të këtilla vazhdojnë të ndodhin edhe pas miratimit të Ligjit për përdorimin e gjuhëve, me të cilin shqipja është gjuhë e dytë zyrtare në Maqedoni.

Të hënën, kur në Katedrën e gjuhës dhe letërsisë shqiptare, pranë Fakultetit “Bllazhe Konevki” të UKM-së doktoroi Bukurie Mustafa, si ekspozeja, ashtu edhe recensioni, biografia dhe vendimi për ndarjen e titullit “Doktor shkencash”, u lexuan në gjuhën maqedonase. ”Pasi administratën e kemi në gjuhën maqedonase jemi të detyruar që t’i lexojmë në maqedonisht materialet, sikurse ia përcjellim fakultetit”, tha prof. dr. Havzi Mustafa, kryetari i komisionit recensues. Ai, kërkonte të njëjtën fjalë, në gjuhën shqipe, sa herë kur u jepte fjalën tjerëve: mentorin prof. dr. Agim Poloskën, që lexoi recensionin, shefin e katedrës, prof. dr. Asllan Hamitin që lexoi biografinë, si dhe kandidaten Bukurie Mustafa që bëri ekspozenë e disertacionit shkencor “Gjuha në romanin ‘Lumi i vdekur’ të Jakov Xoxës”.

Mbrojtja në maqedonisht e titullit të doktoraturës, ndodh para një publiku dhe komisioni recensues tërësisht shqiptarë, nga mentori dhe kandidati shqiptar edhe atë për çështje të letërsisë shqiptare. Në katedrën e shqipes në Shkup, deri tani kanë doktoruar dhe magjistruar mbi 40 persona. Viteve të fundit ka pasur edhe raste kur protokolli i është “rebeluar” rregullores së Fakultetit “Bllazhe Koneski” dhe nuk ka pasuar asnjë sanksion.

“Ka mundësi që ekspozeja, biografia dhe recensioni, të thuhen në gjuhën shqipe. Mirëpo kjo varet nga organizimi i punëve të cilën e bëjnë mentori dhe kandidati”, thotë Hamiti, shefi i katedrës. Mirëpo, Mustafa e cila ka harxhuar disa vite përkushtimi për disertacionin shkencor, thotë se askush nuk i kishte treguar se ka mundësi ta bëjë në shqip ekspozenë. Në bazë të Rregullores të gjithë kandidatët për marrjen e titullit doktor shkencash në Fakultetin Filologjik “Bllazhe Koneski”, duhet që disertacionin ta shkruajnë në gjuhën maqedonase. “Doja ti përmbahem rregullores, me qëllim, që të mos ketë asgjë kontestuese”, tha Mustafa. Ajo, është e mendimit se gjërat duhet të ndryshojnë. Mirëpo, gjërat ndryshojnë në sistem dhe jo në mënyrë individuale, vlerëson ajo. Do të ishte gjysma e së keqes, sikur të ishte në maqedonisht vetëm mbrojtja disertacionit të doktoraturës, pasi diskriminimi institucional në UKM ka shkuar deri atje sa maqedonishtja është vendosur si kushte dhe për punimin e diplomës në nivelin e studimeve deri diplomike.

Studentët kanë dërguar një peticion për rregullimin e kësaj çështje, kurse në dekanatin e Fakultetit “Bllazhe Koneski” kanë premtuar se nuk do të pengojnë studentet të diplomojnë në gjuhën shqipe, Për studimet postdiplomike, deri tani, nuk ka një reaksion të institucionalizuar. Edhe 38 vite pas themelimit të Katedrës së gjuhës dhe letërsisë shqipes, si dhe tetë vite pas Marrëveshjes së Ohrit, duket se nuk kanë mjaftuar që në UKM shqiptarët të gëzojnë të drejtat elementare, të garantuara me Ligj dhe Kushtetutë. Lajm/Start

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›