Arrihet marrëveshje politike për krizën në Maqedoni

Komisionari për zgjerim i Bashkimit Evropian, Stefan Füle ka zhvilluar sot takime intensive me udhëheqësit e partive politike në Maqedoni, në përpjekje për të zgjidhur krizën politike që ka përfshirë këtë vend që nga 24 dhjetori i vitit të kaluar.
Si merret vesh, opozita është pajtuar që të kthehet në Kuvend dhe të marrë pjesë në zgjedhjet lokale, që do të mbahen më 24 mars.
Sipas marrëveshjes, partitë politike janë dakorduar edhe për formimin e një komisioni të pavarur, i cili do të përcaktonte arsyet e incidentit në Kuvend, kur deputetët opozitarë janë dëbuar me dhunë nga forcat e sigurimit.
Një nga pikat e marrëveshjes së arritur ka të bëjë edhe me ndryshimin e Kodit Zgjedhor menjëherë pas zgjedhjeve lokale. Marrëveshja kërkon edhe garanci për lirinë e medieve, si dhe për fillimin e bisedimeve për zgjedhje të parakohshme parlamentare.
Marrëveshja në fjalë është kumtuar në rezidencën e presidentit të Maqedonisë, Gjorgje Ivanov.
Kjo marrëveshje dhe vizita e papritur e Füles kanë pasuar mesazhet e ditëve të fundit të përfaqësuesve ndërkombëtarë, se Maqedonia rrezikon procesin integrues në BE nëse nuk zgjidhet kriza politike../Indeksonline/